Rama i dhuron Thaçit “Çelësin e Tiranës”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës priti dje në një takim Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka zhvilluar një vizitë dyditore në Shqipëri. Duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit të Kosovës një privilegj, kryetari i Bashkisë së Tiranës i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Thaçi në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës duke i dhuruar “Çelësin e Qytetit”, simbolin e mikpritjes për të dhe për të gjithë kosovarët. “Ishte vizita më e veçantë qysh kur unë jam kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte një privilegj për mua që historia e desh që të isha unë bashkë me ekipin e bashkisë që të prisnim qeverinë e parë të pavarësisë dhe komandantin e djeshëm të Luftës Çlirimtare dhe Kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilin pata nderin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës t’i shpreh mirëseardhjen dhe t’i dhuroj “Çelësin e Qytetit”, si shenjë simbolike të mikpritjes për të dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e cilësoi Ramën si liderin e së ardhmes dhe modelin e ndryshimeve në rajon. “Për mua është një kënaqësi dhe është një nder. Unë jam mirënjohës në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës e dua të veçoj se ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën, do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë”, - deklaroi Thaçi.