E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama u shemb shtëpitë hallexhinjve, u jep leje të fortëve

“Kryetari i Bashkisë është arrogant”. Përplasjet PS-LSI ndryshuan dje drejtim. Sulmi i radhës nga ana e Ilir Metës ishte për Edi Ramën si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Gjatë një takimi në Njësinë Nr. 1 të kryeqytetit, Meta iu referua një ngjarjeje të ndodhur pak javë më parë në këtë njësi, ku pati një përplasje mes banorëve dhe policisë bashkiake, e cila pas urdhrit nga bashkia tentoi të largonte banorët nga shtëpitë e tyre, për të cilat posedojnë dokumente pronësie qysh nga koha e “Zogut”. Për shkak të kundërshtive të banorëve përplasja degjeneroi në një incident të rëndë ku pamjet televizive, që u shfaqën në pak televizione për shkak të censurimit, tregonin njerëz që qëndronin në banesat e tyre, edhe pse policia kërkonte t’i nxirrte jashtë me forcë. Pikërisht duke iu referuar kësaj ngjarjeje Meta e konsideroi të turpshme sjelljen e policisë bashkiake. “E kam fjalën për atë dhunën e përdorur nga policia bashkiake, për atë mënyrë arbitrare dhe arrogante kundër hallexhinjve, të cilëve u dërgohet letra nga bashkia ku njoftohen që për dhjetë ditë do largohen nga shtëpia”, - tha kreu i LSI-së. Gjithashtu, ai shtoi se “do të siguronte përkrahjen dhe mbështetjen e LSI-së për këta banorë”. Më pas, kreu i LSI-së akuzoi kreun aktual të Bashkisë së Tiranës duke thënë se “duke parë këto dokumente, ju siguroj që jemi tronditur nga kjo arrogancë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe e atyre të tjerëve, të cilët forcën nuk e tregojnë me të fortit, se të fortit e marrin lejen dhe e shkatërrojnë Tiranën në qendër të saj”. Në këtë kontekst Meta shtoi se ato parullat raciste të Policisë Bashkiake, tregojnë qartë që nuk kemi vetëm problem Berishën, por kemi modelin e Berishës që për fat të keq e reflekton tek ky njeri. Marrëdhëniet PS-LSI janë tensionuar së tepërmi gjatë tri ditëve të fundit. Partia Socialiste i mori LS-së 220 anëtarë në Berat, ndërsa dy ditë më parë LSI-ja u përgjigj duke i dhënë teserën e anëtarësimit ish-themeluesit të PS-së, Luan Rama. Përveç sulmeve partiake, LSI-ja ka përdorur edhe punët e pabëra e të pazgjidhur atë kreut të PS-së Rama si kryetar bashkie. Prej muajsh përplasjet mes dy partive janë reflektuar edhe në këshillin bashkiak të bashkisë së Tiranës. Anëtarët e LSI-së në këshill e kanë akuzuar kryetarin e bashkisë së nuk po i jep dot zgjidhje problemit të furnizimit të qytetit të Tiranës me ujë. Njëkohësisht dy palët patën përplasje në mbledhjen e këshillit lidhur me një fond të bashkisë për ngjarjen e gërdecit. LSI-ja kërkoi që ky fond të ishte 150 milionë lekë, por anëtarët socialistë miratuan një fond prej 30 milionë lekësh. LSI-ja reagoi duke konsideruar se kryetari i bashkisë ka shpenzuar nga fondi i emergjencave për të ndërtuar minifushat e sportit në lagjet e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›