Kryeparlamentari gjerman, letër Topallit: Shqipëria ka të ardhme evropiane
Kryetari i Parlamentit gjerman, Nombert Lammert, i ka dërguar ditën e djeshme një letër Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, të cilën e ka falënderuar përzemërsisht për mikpritjen e saj në vizitën që ai bëri pak muaj më parë në Shqipëri. Në letrën e tij, Nombert Lammert shprehej i bindur se të dyja vendet do të kenë një realitet të ri bashkëpunimi si dhe Shqipëria së shpejti do të jetë pjesë e familjes evropiane. “Shumë e nderuara zonja kolege. Për mikpritjen e shkëlqyer dhe bujare që ju na rezervuat në Shqipëri, mua, delegacionit dhe familjes sime, ju falënderoj edhe një herë shumë përzemërsisht. Unë i kam vlerësuar shumë bisedat miqësore dhe në mirëbesim me ju. Vizita ime në vendin tuaj më krijoi përshtypje me vlerë dhe të shumëllojshme për përparimet e rëndësishme por edhe për sfidat këmbëngulëse, me të cilat ndeshet Shqipëria në rrugën e saj për në Evropë dhe për në Bashkimin Evropian. Prandaj e përshëndes shumë që marrëveshja e Stabilizim-Asociimit si dhe anëtarësimi i afërt në NATO, hapin një perspektivë jo vetëm të shkëlqyer, por edhe konkrete evropiane për Shqipërinë. Avancimi i mëtejshëm i kësaj perspektive dhe inkurajimi i vendit tuaj për reforma dhe ndryshime të mëtejshme, janë një preokupim i madh imi. Veçanërisht, ndaj me ju bindjen se parlamenteve kombëtare në Evropë do t’u bjerë një përgjegjësi gjithmonë e më e madhe ndërkombëtare. Prandaj gëzohem që bashkëpunimi me ju do të vazhdojë për thellimin e marrëdhënieve miqësore të parlamenteve tona dhe për nxitjen e partneritetit të ngushtë gjermano-shqiptar”, - thuhet në letrën e plotë të kryeparlamentarit gjerman, Nombert Lammert.