Ndoka: Konfliktet rrezikojnë fitoren e së djathtës
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, shpreh keqardhjen që partisë së tij po i krijohen pengesa artificiale në përmbushjen e misionit të saj qeverisës nga partneri kryesor në koalicion, PD-ja. Ndaj ai kërkoi dje që të respektohet nen për nen marrëveshja me PD-në për vijimësinë e bashkëpunimit dypalësh. Në mbledhjen e djeshme të aktivit demokristian të Beratit, Ndoka theksoi se PDK-ja nuk gjeti të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi nga partnerët e saj në qeverisje. ”Funksionimi i koalicionit qeverisës gjithnjë ka patur vështirësi, shpesh vendimet të rëndësishme janë marrë në mënyre të një-anshme, por ne jemi përpjekur që të instalojmë frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit, t’i zgjidhim problemet dhe mosmarrëveshjet në tavolinë, duke shmangur debatin publik dhe konfliktet e panevojshme që vetëm sa do të na dëmtonin ne si mazhorancë”, - u shpreh Ndoka. Sipas tij, PDK-ja është shndërruar në një faktor të rëndësishëm elektoral, çka nga disa segmente brenda koalicionit qeverisës është pritur me zili dhe shqetësim, aq sa herë pas here nisin aksione klandestine për të dëmtuar PDK-në dhe imazhin e saj në qeverisje. ”Ne i kemi kërkuar dhe i kërkojmë Partisë Demokratike që të respektojë marrëveshjen me PDK-në në të gjithë përmbajtjen e saj, nen për nen. Një detyrim i tillë buron jo vetëm nga marrëveshja e nënshkruar, por është edhe një kusht për funksionimin normal të koalicionit, funksionimin normal të qeverisjes dhe në fund të fundit garanton realizimin me sukses të programit qeverisës të kësaj mazhorance”, - deklaroi z. Ndoka. Duke marrë në analizë qeverisjen e mazhorancës së djathtë dhe marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës, kryetari Ndoka bëri të ditur se “ne jemi aty për të kontribuar, për të dhënë maksimumin tonë, për të mbajtur premtimet e 3 korrikut dhe për të vendosur disa themele të forta në ndërtimin e shtetit të ri evropian shqiptar”.