PS-ja kërkon ndryshimin e rregullores për dekretet e Topit
Partia Socialiste propozon ndryshime në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit. Në kuadër të debatit politik për dekretet e Presidentit të Republikës, PS-ja propozon rregulla të reja për sa u përket kompetencave që duhet të ketë Kuvendi në vendimet për emrat që i vijnë nga Presidenti i Republikës për institucionet kushtetuese. Në thelb, propozimi i PS-së i jep më shumë kohë dhe kompetenca Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve, por kërkon që Kuvendi të organizojë seanca dëgjimore për çdo rast si dhe zhvlerësohet afati kohor që dekretet të hyjnë në kalendarin e punimeve. Sipas propozimit të PS-së, pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, dekretet hyjnë automatikisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në relacionin e këtij propozimi ligjor thuhet se PS-ja kërkon që të ndryshojë neni 111 i Rregullores së Kuvendit, pika tre. Sipas këtij propozimi, Kryetarja e Kuvendit, pasi dekretet dorëzohen në Kuvend menjëherë ia dorëzon Komisionit të Ligjeve i cili tani ka dy javë kohë për të shqyrtuar dekretet. Në rast të dhënies së pëlqimit, atëherë dekretet futën automatikisht në punimet e Kuvendit. Në relacion theksohet domosdoshmëria për të rritur rolin e Parlamentit shqiptar në të gjitha rastet kur kërkohet pëlqim, emërim për propozimet nga ekzekutivi, apo emërime nga vetë Kuvendi. Në këtë mënyrë duket se socialistët kërkojnë të zbusin marrëdhëniet me mazhorancën duke kërkuar që të rriten kompetencat e Kuvendit mbi emërimet e anëtarëve në institucione kushtetuese. Në fakt, kjo bie ndesh me qëndrimin e deritanishëm të PS-së e cila ka kritikuar ndërhyrjen e Kryetares së Kuvendit në shqyrtimin e kandidaturave nga Kuvendi.