E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, PS e LSI, zbulohen krerët e listave në qarqe

 

Aristir Lumezi / Adi Shkëmbi

Partitë kryesore politike kanë përcaktuar tashmë drejtuesit e listave të tyre në qarqe për zgjedhjet e 28 qershorit. Kur kanë mbetur më pak se dy muaj e gjysmë nga dita e votimit, PD, PS dhe LSI duket se kanë formalizuar emrat që do të jenë shtylla e luftës së tyre, për të marrë sa më shumë vota në qarqet respektive. Ndryshe nga dy partitë kryesore, LSI është më e qartë në këtë përballje elektorale dhe ka nisur prej disa javësh prezantimin e krerëve të listës së tyre në qarqe. Këto emra kanë dalë nga vendimet e marra në kryesinë e LSI-së. Ndryshe ndodh në PS dhe PD, ku emrat e tyre nuk deklarohen zyrtarisht, edhe pse për momentin lista që gazeta paraqet duket se do të mbetet e tillë deri në fund. Socialistët për të arritur në përcaktimet e krerëve të listës së tyre në çdo qark, kanë bërë disa sondazhe. I fundit është bërë në fund të muajit dhjetor 2008, kur përmes telefonatave është marrë një mendim se cila është mbështetja për deputetët aktualë të grupit parlamentar socialist. Edhe pse emrat e kandidatëve që do t’i paraprijnë listës së socialistëve, në momentin aktual personat që duket se kanë marrë “bekimin” e kryetarit, nuk përbëjnë ndonjë surprizë, përveç faktit se disa nga shtyllat e selisë rozë kanë ndryshuar qarqe. Qarku i Tiranës mbetet ende i papërcaktuar, se cili do të jetë kandidati që do t’i prijë listës së socialistëve, edhe pse deri tani Edi Rama nuk e ka vendosur nëse do të kandidojë apo jo. Shumë janë kandidatët që përfliten dhe madje po punojnë pranë njësive bashkiake të Tiranës, bashkive dhe komunave të këtij qarku si të deleguar, por duket se emrat e listës së gjatë të këtij qarku do të mësohen vetëm kur ata të jenë miratuar në kryesinë socialiste. Në qarkun e Lezhës, burime pranë PS-së pohojnë se në krye të listës do të jetë kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 1 Lindita Nikolli, ndërsa në qarkun e Shkodrës lista e kandidatëve socialistë do të kryesohet nga anëtari aktual i kryesisë, Namik Dokle, në Kukës nga Pandeli Majko, në Dibër nga Sadri Abazi, në Durrës Blendi Klosi, në Elbasan Valentina Leskaj, në Fier Gramoz Ruçi, në Berat Erion Braçe, në Korçë Ben Blushi, në Vlorë Arben Malaj dhe në Gjirokastër Vangjel Tavo.
Lista e LSI
Ndërsa LSI ka përcaktuar tashmë me vendime kryesie në krye të listave Ilir Metën në Tiranë, Dritan Priftin në Fier, Lefter Kokën në Durrës, Petrit Vasilin në Korçë, Bujar Kllogjerin në Elbasan, Nasip Naçon në Berat, Luan Memushin në Gjirokastër, Shkëlqim Selamaj në Vlorë, Sokol Axhemi në Shkodër, Xhovalin Bushin në Lezhë, Monika Kryemadhin në Dibër dhe Zef Çupin në Kukës.
Lista e PD
Krerët e grupeve të punës, të vendosur nga Kryesia e PD rreth 6 muaj më parë, për të monitoruar procesin zgjedhor në degë, pritet të jenë të parët në listat e 12 qarqeve për zgjedhjet e 28 qershorit. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën se anëtarët e kryesisë, të cilët janë edhe ministrat kryesorë të kabinetit “Berisha”, nuk do jenë të gjithë në Tiranë, i cili është qarku me më shumë deputetë, por do të jenë të shpërndarë në të gjitha zonat. Kështu në kryeqytet bëhet e ditur se i pari në listë do të jetë Kryeministri Berisha, i cili në mbledhjen e fundit të kryesisë vendosi që të jetë edhe kryetar i grupit të punës për zgjedhjet në këtë degë. Dy nënkryetarët e PD-së, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, pritet të jenë përkatësisht të parët në qarkun e Shkodrës (Topalli fitoi më 3 korrik në një prej zonave të këtij qyteti) dhe në Vlorë (Patozi doli deputet nga qyteti i Vorës, 4 vjet më parë). Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherësh Ministër i Financave, Ridvan Bode do të jetë i pari në listën e qarkut të Korçës, ku katër vjet më parë mori mandatin e deputetit. Në qarkun e Durrësit burimet bëjnë të ditur se sipas të gjitha gjasave i pari në listë do të jetë Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ndërsa zv.kryeministri Genc Pollo pritet të kryesojë listën e Beratit. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli do të jetë sërish në Gjirokastër, ku katër vjet më parë i mori mandatin Makbule Çeços, ndërsa Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi pritet të jetë i pari në qytetin e Fierit. Ndërkohë Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha pritet të kryesojë qarkun e Elbasanit, ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar, Ilir Bano, pritet të jetë në Dibër. Në Kukës, lista pritet të drejtohet nga Jemin Gjana ndërsa Fatos Beja pritet të jetë i pari në qarkun e Lezhës. Por burimet bëjnë të ditur se emrat e parë në listë, mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, deri ditën e dorëzimit të emrave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Krerët në listat e kandidatëve në qarqe

Qarku        PD            PS            LSI

Lezhë        Fatos Beja        Lindita Nikolli        Xhovalin Bushi

Shkodër    Jozefina Topalli        Namik Dokle        Sokol Axhemi

Dibër        Ilir Bano        Sadri Abazi        Monika Kryemadhi

Kukës        Jemin Gjana        Pandeli Majko        Zef Çupi

Durrës    Gazmend Oketa        Blendi Klosi        Lefter Koka

Tirana        Sali Berisha        I papërcaktuar        Ilir Meta

Elbasani    Lulzim Basha        Valentina Leskaj    Bujar Kllogjeri

Berat        Genc Pollo        Erion Braçe        Nasip Naço

Fier        Sokol Olldashi        Gramoz Ruçi        Dritan Prifti

Korçë        Ridvan Bode        Ben Blushi        Petrit Vasili

Vlorë        Astrit Patozi        Arben Malaj        Shkëlqim Selamaj

Gjirokastër    Genc Ruli        Vangjel Tavo        Luan Memushi

TIA: Partitë të bëjnë publike emrat e kandidatëve
Transparency International Albania i kërkon partive politike që të bëjnë publike listën e kandidatëve për deputet, së bashku me CV-të e tyre. Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani deklaroi se "partitë janë me vonesë sa u përket përpilimit të listave të kandidatëve për deputetë". TIA kërkoi që partitë të mos fshehin kurikulumet e kandidatëve për deputetë të ardhshëm, por të publikojnë menjëherë ato. TIA e lidh këtë proces edhe me ligjin e lustracionit, duke synuar një pastrim të kandidaturave për deputet. "Nëse publiku i njeh mirë kandidatet për deputetë, njeh mirë të kaluarën e tyre, pastaj është në dorë të publikut të votojë për atë të cilën do të përfaqësohet. Dhe ky është pastrimi më i mirë që mund t'i bëhet Parlamentit, pastrimi më i mirë që do t'i bëhet institucioneve", thekson Shabani.

Veliaj: Do të shihni një fushatë ndryshe
Kryetari i "G99" Erjon Veliaj, zhvilloi dje një takim me të rinjtë në qytetin e Beratit, ku dhe ka deklaruar se zgjedhjet e qershorit janë beteja e të rinjve për të ardhmen. Veliaj ka prezantuar stafin e tij të fushatës elektorale, pjesë e të cilit është dhe një prej organizatorëve të fushatës të zgjedhjeve që u zhvilluan në Amerikë në stafin e Obamës, Alex Mc Phillips. Në fjalën e tij përpara të rinjve të këtij qyteti, Veliaj është shprehur se "fushata e "G99" për zgjedhjet e qershorit do të jetë një fushatë ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim në këto 17 vite, një fushatë model, pikësynimi i së cilës do të jetë që kjo parti të renditet ndër partitë kryesore fituese të zgjedhjeve". Ai u kërkoi të rinjve të Beratit të jenë pjesë e kësaj fushate dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›