E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: ”Të akredituar, vetëm 4 universitete private”

Autori i Lajmit: red.
Studentët që ndjekin universitetet private do të vazhdojnë të mos u njihen si të vlefshme diplomat në vendet e BE. Ministri Beja tha se në sitën e komisionit kanë kaluar vetëm 4 universitete private nga 20 që janë. Edhe pse ishte trumbetuar me forcë nga qeveria, procesi i akreditimit të universiteteve nga një kompani e huaj, duket se ky proces është ende larg. Vetë ministri i Arsimit, Fatos Beja, tha se “në sitën e komisionit kanë kaluar vetëm 4 universitete private nga 20 që janë gjithsej”. Sipas ligjit të ri të arsimit, të gjitha universitetet shqiptare në fund të procesit të vlerësimit apo akreditimit të jashtëm do të kenë mundësinë që të renditen mbi bazën e cilësisë që ata sigurojnë. Drejtuesit e ministrisë kishin deklaruar se ishte ngarkuar një kompani amerikane që do të merrej me këtë gjë, por vetë ministri Beja tregoi qartë se ende nuk është kontraktuar asnjë kompani që do të kryejë këtë proces. Rezultatet e vlerësimit të kompanisë do të përcaktojnë dhe bazën mbi të cilën MASH do të merrte edhe masat përkatëse ndaj universiteteve publike dhe private që nuk plotësojnë standardet deri në mbylljen e tyre. Mosnjohja e diplomës në vendet e BE-së është konsideruar nga Ministria e Arsimit si një problem i vetë studentëve që marrim mësim në universitete private duke sugjeruar që përfundimin e këtyre studimeve ta kryenin pikërisht në një universitet të vlerësuar. Ndër të tjera, ministri Beja ka ngritur edhe shqetësimin e mbipopullimit të godinave universitare, çka e ka kthyer mësimin në auditore me tre turne. Sipas tij, mungesa e hapësirave për studentët bëhet pengesë edhe për liberalizimin e plotë të universiteteve në vend.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›