E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis restaurimi për kishën e Shën Mërisë në kalanë e Elbasanit

Autori i Lajmit: red.

Në kishën ortodokse të Shën Mërisë, e cila ndodhet brenda mureve të kalasë së qytetit të Elbasanit, kanë nisur punimet për restaurimin e pjesshëm të saj, nën kujdesin e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe me fondin prej 9.5 milionë lekësh që ka vënë në dispozicion Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS). Punimet që kanë filluar para tri ditësh, do të përqendrohen në riparimin e çatisë së kishës e mureve, si dhe në zbulimin e disa afreskeve të kishës më se 350-vjeçare, të cilat kanë qenë të mbuluara me gëlqere që në kohën e komunizmit. Prifti i kësaj kishe, At Nikolla Marku, tha për mediat se ka rreth dy shekuj që në këtë kishë me vlera shumë të mëdha e të gjithanshme, nuk është kryer një restaurim i tillë me një investim kaq të madh. Ai theksoi se vlerat e kishës së Shën Mërisë janë jo vetëm historike, dhe se ajo "shënon gjithashtu dëshminë e pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare". Sipas parashikimeve, punimet për restaurimin e pjesshëm të kishës do të përfundojnë në fund të muajit dhjetor të këtij viti. Burimet historike dëshmojnë se në vitin 1656 kisha e Shën Mërisë funksiononte rregullisht me vakëfet dhe të ardhurat. Më 11 nëntor të vitit 1819 kjo kishë u dogj plotësisht. Ajo u rindërtua në vitet 1826–1833. Kisha e Shën Mërisë është një nga monumentet që përfaqësojnë vlerat e rralla etnokulturore dhe arkitekturore të rajonit të Elbasanit. Ajo i takon stilit të vonë bizantin dhe është ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit dibranë. Kjo kishë ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si një vatër e atdhetarisë, pasi rreth saj kanë ushtruar veprimtarinë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbajtjen e meshës shqip e përkthimin e librave fetarë, që nga Dhaskal Todri - Teodor Haxhifilipi, Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj. Një ndërtesë pranë Kishës së Shën Mërisë, pjesë e saj, ka shërbyer si shkolla e parë shqipe në Elbasan në vitin 1908.
Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›