Bogdani: Rama nuk ka ndërtuar asnjë shkollë në tre vjet
Zëdhënësi për shtyp i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani kja reaguar dje pas deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama. Bogdani e ka cilësuar mashtrim deklaratën e Ramës, sipas të cilit ai ka ndërtuar 23 shkolla në Tiranë dhe në komunat përreth. Sipas Bogdanit, Rama nuk ka ndërtuar asnjë shkollë gjatë këtyre tre viteve të fundit.
“Në njësinë bashkiake nr. 10 nuk ka ndërtuar asnjë shkollë te re dhe nuk ka rikonstruktuar asnjë nga 5 shkollat ekzistuese. Mendova se një gjë e tillë ishte vetëm për njësinë 10, ndaj kërkova në njësitë e tjera, por edhe atje asnjë shkollë e re. Mendova mbase ka ndërtuar ndonjë shkollë të re në Kashar, por edhe atje Rama ishte përsëri ngeles”, është shprehur Bogdani. Ai bëri të ditur se rindërtimi i shkollave është meritë e qeverisë shqiptare e cila në bashkëpunim me BERZH-in ka financuar të gjithë ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave në Tiranë. “Rama, me fondet minimale që ka përcaktuar për arsimin në buxhetin e Bashkisë së Tiranës nuk ka ndërtuar këto tre vjet asnjë shkollë të re. Premtimi i Ramës se 4 shkolla të reja do të jenë gati në fillimin e vitit të ri shkollor nuk qëndron, pasi më shumë se godina të reja ato janë zgjerime të shkollave ekzistuese. Bashkia e Tiranës deri tani nuk ka qenë në gjendje të dorëzojë asnjë nga shkollat e reja që janë në ndërtim”, është shprehur Bogdani.
31 Korrik 2008