E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejkush Birçe: Na mundi emri i Frances

/* */

Dash FRASHËRI (Gazeta Telegraf) - Ish-trajneri i Kombëtares, Bejkush Birçe, 68 vjeç, presidenti aktual i shoqatës së “Trajnerëve shqiptarë”, tha se edhe pse Shqipëria humbi kundër ish-kampionëve të botës, Kombëtarja jonë edhe mund ta meritonte një barazim kundër Francës. “Megjithatë, artistët e futbollit francez dhanë më shumë në fushë”, - tha per gazeten "Telegraf", Birçe, i cili e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, duke e marrë postin nga Shyqyri Rreli, për t’u pasuar nga Neptun Bajko. Birçe e nisi me Islandën (humbi 2-0 në Rejkavik, më 30 maj 1990) dhe e mbylli me humbjen 5-1 më Spanjën (22 shtator 1993). Birçe e drejtoi përfaqësuesen në 19 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore, 2 barazime dhe 13 humbje.

Zoti Bejkush Birçe, Shqipëria humbi 2-1 me Francën për eliminatoret e Euro 2012-s. Si e gjykoni paraqitjen e Kombëtares sonë?
Ishte një ndeshje që pati një përfundim, sigurisht të merituar të skuadrës franceze. Kur them të merituar, sepse fitoi. Por, nga ana tjetër, një barazim i mundshëm, apo dhe një fitore që vjen kur s’e pret, si kundër mund të pësonim edhe një humbje edhe më të thellë. Parapërgatitja e ndeshjes ishte paksa pompoze, pasi vetë emri i kundërshtarit, ish-kampion i botës dhe ish-kampion i Europës, dhe me emrat më të mëdhenj, apo artistë futbollisi mund t’i quajmë ata, ta imponon atë. Si një ish-trajner i Kombëtares, do të thosha se djemtë tanë dhanë maksimumin, luftuan me të gjitha mundësitë që kanë. Me shpirt dhe me sakrificë, ata përfaqësuan një ndjenjë kombëtare.

Ku dallonin dy skuadrat në fushën e lojës?
Duke i vendosur në një peshore, ekipin shqiptar me atë francez, natyrish kur flasim për një futboll modern dhe të kohës, sigurisht që është anën e francezëve. Komunikimi i lojtarëve francezë ishte thuajse perfekt. Franca ka një ekip teknik, dhe jo një skuadër force, si Anglia apo Holanda. Francezët kanë pasur oshilacionet e tyre në këto dy vitet e fundit, por me fitoren në Shqipëri ata vendosn një vulë për kualifikimin në finalet e Euro 2012-s.

Në pjesën e parë, Shqipëria bëri një lojë apatike, jashtë asaj që prisnin të gjithë, pasi luanim në “Qemal Stafa”. Si mendoni ju?
Shikoni, rezultati pozitiv i lojës ka raste që justifikon shumë gabime; ai negativ mbulon dhe të mirat. Ndodh kjo në futboll. Ne humbëm. Ekipi nuk ishte apatik, por skuadra hyri në lojë me një ndrojtje të madhe, duke pasur frikën e pësimit të golit në minutat e para. Rreshtimi i skuadrës sonë ishte mbrojtje dhe presing në gjysmëfushën franceze. Ne atë bëmë mirë. Shpeshherë ne u gjetëm përballë vetëm dy mbrojtësve francezë, me pasim vertikale apo nga krahët, dhe mund të kishim shënuar dhe më parë, pasi dolëm në epërsi numerike. Gjithsesi, skuadra ka pasur frikë edhe kundërpërgjigjen e francezëve.

Dy gola brenda 20 minutash në një ndeshje në shtëpi, janë shokues apo jo?
Për mendimin tim, pësuam dy gola, edhe aksidentalë për mendimin tim. Francezët e kishin në zotërim lojën, por ne mund të kishim shënuar të paktën një gol në dy kundërzbritjet e pastra tonat. Do të na ngrihej shumë morali, ndërkohë që jam i bindur se do të binte rendimenti i francezëve dhe me atë 1-1, nëse do topi i Salihit nuk do të godiste shtyllën do të ndryshonte fati i lojës. Ky është fati i futbollit. Goli i dytë i francezëve na goditi keq. Loja mbrojtëse, sipas mendimit tim, ka qenë shumë e mirë, pasi ishte e vështirë të reagojë me një sulm të fuqishëm që nuk e kemi. Shtoi kësaj, edhe faktin që Benzema, Riberi dhe Nasri, nuk kishin asnjë detyrë mbrojtëse.
Shënuam gol qysh në minutën e parë të pjesës së dytë. A mund ta barazonim rezultatin?
Në pjesën e dytë francezët hynë me bindjen se e kishin të plotë kontrollin e ndeshjes. Për fat të mirë, goli i Bogdanit erdhi qysh në minutën e parë dhe situata ndryshoi. Franca pati raste, madje goditi dhe shtyllën, por loja shkoi në atë mënyrë që edhe ne mund të ishim afër një barazimi, por ishte afër dhe një humbjeje më të thellë. Për mendimin tim, skuadra shprehu gjithçka. Hyrja e Lalës në pjesën e parë, si dhe e Hykës dhe Bakajt në të dytën, e impulsoi skuadrën. S’e kisha parë Lalën në atë gjendje aq të mirë psikologjike dhe futbollistike. Arriti ta zgjonte skuadrën.

Duke i bërë dhe një krahasim dy periudhave, ato të dy ndeshjeve të para me Francën në vitet 1990-1991, dhe këtë të së premtes të kaluar (2 shtator 2011), a shihni ndonjë ngjashmëri të futbollit shqiptar?
Shikoni, ngandonjëherë krahasimet çalojnë. Edhe në kohë, por çalojnë edhe në ekzekutimin e futbollit të dikurshëm me atë të sotëm. Futbolli i njëjtë mbetet si lojë, goditet me këmbë, kokë. Atëherë ndoshta loja ka qenë më e ngadaltë, sot ajo është më e shpejtë, pasi ka një unifikim më të madh të grupit, sesa të solistëve që mbajnë mbi shpatull një skuadër. Kam parasysh se në skuadrën time të atëhershme, kam pasur lojtarë të fortë fizikisht, një skuadër e mirë e kohës, por përballë kishim një Erik Kantona, Didier Deshamps, Zhan Pier Papen, ndërkohë që tani kemi përballë një Karim Benzema, Frenk Riberi, që kanë më shumë teknikë dhe shprehen një çikë më qartë në kompleksitetin e skuadrës.

Në humbjen 5-0 në Paris, kur ju ishit edhe trajneri i Shqipërisë, pragndeshja me Francën u shoqërua edhe me braktisjen e ekipit nga tre lojtarë gjatë tranzitit në Zvicër. A ndikoi ajo situatë në atë humbje të thellë?
Ne kemi luajtur në vitin 1991 (30 mars), në atë humbje 5-0, në Paris, kundër Francës, që drejtohej nga Mishel Platini, fatkeqësisht me një skuadër gjysmake. Nuk e kishim ekipin Kombëtar të plotë, pasi disa lojtarë u larguan (Kaçaçi, Ibro, Leskaj). Ishte një situatë aspak e mirë ajo që ndodhi në ekipin Kombëtar. Ndoshta në atë kohë, me një ekip Kombëtar komplet, jam i bindur se do të kundërshtonim rreptë. Nuk mund të them se do të fitonim, por jam i bindur se nuk do të humbisnim aq thellë. Fakti është, që ekipi francez në atë kohë ishte ndër më të mirët, kishin qenë kampionë të Europës (1984), për t’u bërë më pas kampionë bote (1998) dhe sërish kampion i Europës (2000). Me një fjalë, Franca është në presidiumin e futbollit botëror. Është vetzgjedhur për shkak të arritjeve të saj.

Cili është?
Bejkush Birçe e ka nisur karrierën si trajner i të rinjvë ne vitin 1971. Vlonjati ka dalë tri herë kampion si trajner, dy herë me Partizanin (1978-1979, 1980-1981) dhe një me  Dinamon (1989-1990), si dhe ka fituar katër herë Kupën e Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij si trajner (1971-1966) ka drejtuar edhe Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin.Bogdani, më i miri
“Në ndeshjen me Francën, ai që spikati më shumë ishte Erion Bogdani. Vrapoi shumë dhe u gjend në shumë situata, madje askush nuk mund ta bënte atë bëri ai kur realizoi golin e Shqipërisë. Gjithsesi, duke qenë dhe vetë një ish-trajner i Kombëtares, do të shtoja se është pak vështirë për të veçuar më të mirin”.

Ujkani jep siguri
Portieri Samir Ujkani e pranoi se kishte edhe ai faj në pësimin e golit të parë të Francës. Birçe: “Gjithsesi, Ujkani bëri një figurë të mirë, priti e bllokoi topa, që mund ta çonin ndeshjen edhe 3-0 për Francën. Sot për sot, ai e meriton vendin në Kombëtare, aq më tëpër që ai luan në Serinë A në Itali”.

Humbja e Shpresave
Kmbëtarja U-21 humbi 3-0 me Poloninë në Korçë, ndërkohë që të martën do të luajë kundër Moldavisë, po në Shqipëri. Birçe: “Unë do të shikoj ndyshe. Duhet të theksoj se kjo reflekton edhe mungesën e masivitetit të futbollit dhe vështiresitë e një infrastrukture mizerabile, nga më të dobëtat në Ballkan”.

Dikur Luksemburgu luante me shoferë

Shqipëria do të luajë të martën kundër Luksemburgut, kundërshtarit më të dobët të grupit tonë, e që në tetë ndeshje ka marrë vetëm një pikë. Kombëtarja jonë do të ketë mungesën e katër lojtarëve titullarë në “Josey Barthel”. Birçe parashikon: “E shikoj shumë të vështirë ndeshjen në Luksemburg, pasi luksemburgasit kanë një përmirësim të jashtëzakonshëm. Nuk e prisja. Dikur kanë luajtur kundër nesh, në mos gaboj ka qenë trajner Demollari, kanë luajtur me katër shoferë (qesh). Tani kanë barazuar me Bjellorusinë. Gjithsesi, fitorja nuk është e pamundur”.  

Rinovimi duhej bërë më përpara

Trajneri i Komëbtares, Josip Kuzhe, ka premtuar revolucion në skuadër menjëherë pas ndeshjes me Luksemburgun. Por, sa është e mundur kjo? Birçe argumenton: “Sigurisht, që e dëgjova deklaratën. Kam respekt për Kuzhenë, pasi është intelektual dhe trajner i zoti. Tani kanë mbetur dhe vetëm tri ndeshje, unë do të thosha se më mirë do të ishin të rinjtë, pasi na duhet të përgatitemi dhe për edicionin tjetër, atë të Botërorit. Kjo ka ndodhur edhe me Bariçin, apo me të tjerët. Rinovimi nuk është një shaka, duhet bërë i studiuar. Të paktën për edicionin që vjen ne duhet të kishim gjashtë lojtarë të rinj”.

Kampion, ekipi me financat e mëdha

Në fundjavë, më datën 10 shtator, do të nisë edhe Kampionati i 73-të Kombëtar i futbollit. Edicioni 2011-2012, ndryshe nga ai sezonit të kaluar do jetë me 14 skuadra. Por, a do të ketë ai më shumë rivalitet? Birçe përdor një logjikë tjetër: “Më shumë rivalitet futbollistik? Në Shqipëria më shumë rivalizon paraja. Ai klub që ka më shumë para fiton kampionatin. Një klub me para nuk e ka të vështirë të ndërtojë një skuadër. Edhe kampionatin e kaluar e pamë këtë gjë. Në vendin tonë të njëjtët lojtarë qarkullojnë, nga një skuadër në tjetrën. Para dy sezonesh, Dinamo e fitoi titullin edhe pse humbi 12 ndeshje, madje 9 në fazën e tretë. Ishte për rekordet ‘Guiness’. Sezoni e kaluar dorëzoi shumë ndeshje edhe pse e nisi mirë kampionatin. E ritheksoj se do të fitojë ekipi që ka financat më të mëdha”.

Sulaj të bashkëpunojë për Dinamon

Shoqata “Dinamo”, e cila para pak ditësh zhvilloi edhe Asamblenë  e saj, i bëri thirrje presidentit të skuadrës, Besnik Sulaj, të vendosë urat e bashkëpunimit, duke i caktuar një afat deri ditën e sotme. Bejkush Birçe, i një trajner që ka dalë dy herë kampion me Dinamon, ka fituar Kupën dhe Supekupën e Shqipërisë, është anëtar i shoqatës. “Ajo që në kerkojmë është që të zgjidhim problenmet te Dinamo. Besnik Sulaj nuk po reagon dhe nuk po jep asnjë përgjigje, as në lidhje me ekipin, rrogat. Ne po i bëjmë thirrje, që ai të bashkëpunojë me ne. Deri tani ai nuk ka ndërmend, por ne nuk do ta lëmë Dinamon të shkatërrohet si Partizani. Dua t’i kujtoj Sulajt se nuk e ka lindur ai Dinamo, që të ketë të drejtën ta vdesë ai. Nëse ai ka falimentuar të hapë rrugën. Kjo ndodh në të gjithë botën. Shteti të ndërhyjë, ashtu siç veproi dhe FSHF-ja. Edhe për Dinamon ajo duhet të ndërhyjë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›