Beka: Mbështetja e GTZ-së synon të rrisë prerzencën e biznesit turistik gjerman në Shqipëri

Një grup biznesmenësh dhe investitorësh gjermanë do të vizitojë Shqipërinë ditët e ardhshme
Programi gjerman për Asistencë Teknike (GTZ), përmes projekteve të tij në mbështetje të sektorit të turizmit, synon të rrisë prezencën e biznesit turistik gjerman në Shqipëri. Ismail Beka, përfaqësues i GTZ-së në Shqipëri, tha se në javët e para të muajit maj kemi ftuar biznesin gjerman, investitorë, përfaqësues të institucionve apo dhe operatorë turistikë, që të njihen më nga afër me potencialet turistike dhe ekonomike në vendin tonë si dhe të shohin mundësitë reale ku mund të investojnë në Shqipëri. Duke e cilësuar turizmin si një veprimtari ekonomike që zhvillohet përmes sektorit privat, por të lidhur ngushtë me veprimtarinë shtetërore dhe pushtetin vendor, Beka evidenton rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, energjetikë e shërbime, të cilat krijojnë për vizitorët e huaj një klimë të përshtatshme për të shijuar pasuritë natyrore dhe kulturore në vendin tonë. Sipas tij, ajo që GTZ mbështet në kuadrin e projekteve të saj, ka të bëjë me forcimin e sektorit privat. Në këtë kuadër, shton ai, GTZ ka mbështetur sektorin privat të turizmit që të organizohet në një shoqatë kombëtare. Shoqata Shqiptare e Turizmit, që po funksionon prej vitit 2008, përfshin tre sektorë kryesorë, hotelet, agjencitë e udhëtimit dhe restorantet, që janë bazë e biznesit të turizmit. GTZ në punën e tij synon jo vetëm të rrisë kapacitetet e tyre nëpërmjet trajnimit dhe fuqizimit, por të bashkërendojë punën me pushtetin vendor. GTZ aktualisht punon në mënyrë intensive në tre rajone të ndryshme të vendit. Në Shkodër, duke përfshirë edhe mjaft zona të tjera, siç është projekti i Thethit, që etiketohet nën siglën "40 Hane", projekt i cili është bërë promotor në promovimin e turizmit familjar shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Beka shton se një tjeter nisëm është ndërmarrë në Tiranë, ku është hapur qendra e informacionit turistik, që ka një shtrirje deri në Aeroportin e Rinasit. Pavarësisht se Tirana nuk është vendi më i rëndësishëm i potencialit të turizmit, thotë Beka, në të gjitha rastet kryeqyteti mbetet destinacion i pa diskutueshëm, ku ndalon çdo turist që hyn në Shqipëri. Një tjetër rajon ku është përqëndruar GTZ është ai i Korçës, ku synohet të krijohen modele të informacionit të turizmit, por dhe të zhvillimit të tij në nivel rajonal, duke rritur kështu imaxhin e Shqipërisë turistike në tregjet rajonale e më gjerë.
...