REPORTAZH/ Vlora, në përgatitjet e fundit në prag të çeljes së sezonit turistik
Pas pak ditësh, më 9 maj do të çelet në Vlorë sezoni i ri turistik. E konceptuar si një festë, kjo ditë do të jetë e mbushur me shumë aktivitete. Në funksion të sezonit turistik, që përbën edhe periudhën më të rëndësishme të vitit për qytetin e Vlorës, janë të përqëndruara të gjitha energjitë e autoriteteve lokale dhe biznesit. Me një vendim të këshillit bashkiak të prillit të vitit 2004, çelja zyrtare e sezonit turistik në qytetin e Vlorës, bëhet të shtunën e dytë e muajit maj. Gjithsesi, në këto ditë për të gjithë është periudha e prologut të një sezoni që pritet me padurim. Vitin e kaluar qyteti e Vlorës u vizitua nga më shumë se 270 mijë pushues vendas dhe të huaj.
Çelja e sezonit, një ditë e mbushur me aktivitete
9 Maji do të jetë një ditë e veçantë për qytetin e Vlorës. Ilir Metaj, drejtor i Drejtorisë së Koordinim Zhvillimit dhe Turizmit në Bashki, thotë se “janë planifikuar aktivitete të shumta, që do të krijojnë një atmosferë festive në qytet”. Aktiviteti më i rëndësishëm konsiderohet Festivali Ndërkombëtar “Aulona Folk International Festival”, që do të zhvillohet gjatë tre netëve, me pjesëmarrjen e rreth 300 artistëve nga 9 vende të ndryshme. Ndërkohë, 150 parashutistë nga disa vende të Evropës e më gjerë, do të marrin pjesë në fluturimet sportive të edicionit të 10-të të “Albania Open”. Disa dhjetra artistë cirku, xhonglerë, valltarë, etj, do të krijojnë atë që emërtohet “festa e rrugës”. Në një pjesë të bregdetit, në afërsi të Akademisë së Marinës, do të ofrohet birrë falas nga subjekte prodhuese në Vlorë e më gjerë. Atmosfera festive do të vazhdojë gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të mbrëmjes. Ajo do të zhvendoset në pika të ndryshme dhe pritet të mbyllet me koncerte në mjedise të hapura, ku do të ftohen këngëtarë të njohur nga Vlora dhe kryeqyteti.
Plazhet
Në bregdetin e Vlorës funksionojnë dy plazhe publike si dhe dhjetra plazhe të tjerë më të vegjël, që administrohen nga subjekte private. Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Bashkinë e qytetit është në fazën e fundit të përgatitjeve të mjediseve të plazheve publike. Janë hedhur sasira të mëdha rëre për të rikuperuar varfërimin e tyre nga stina e dimrit. Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ertel Shehu, thotë se “plazhet publike kanë një kapacitet prej rreth 30 mijë personash dhe në stinën e verës janë tepër të frekuentuara nga qytetarët vlonjatë dhe pushues nga rrethe të tjera të vendit”. Ndërsa plazhet e administruar nga subjektet private, shtrihen nga bregdeti në afërsi të Akademisë së Marinës, deri tek vendi i emërtuar “Kalaja”, që përkon me territorin e administruar nga bashkia e Vlorës. Kushtet dhe komoditeti në këto mjedise është më i lartë. Ndërkohë, përmes një projekti të përbashkët, mes bashkisë dhe Korpusit të Vullnetarëve, janë angazhuar qindra të rinj të shkollave publike dhe jopublike të qytetit për pastrimin nga mbeturinat të plazheve. Drejtuesi i këtij korpusi në shkallë vendi, Mentor Kikia, shprehet se kjo është një nismë që synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për domosdoshmërinë e mbajtjes pastër të mjedisit.
Infrastruktura rrugore
Ndërtimi i segmentit rrugor “Transballlanikja” me një vlerë prej rreth 7 milionë euro nga Qeveria shqiptare, përbën investimin më të rëndësishëm në shumë dekada në infrastrukturën rrugore të qytetit të Vlorës. Kjo rrugë, me gjatësi prej 2.8 km, me katër korsi dhe ndarje në mes me gjerësi prej rreth 35 metrash, është drejt përfundimit. Por, pavarësisht plotësimit me disa elementë rruga është vënë në funksionim. Mijra automjete, që dikur përshkonin bulevardin kryesor, tashmë qarkullojnë përgjatë saj, duke lehtësuar trafikun e mbingarkuar, veçanërisht gjatë verës. Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili, tha se "vënia në funksion e këtij segmenti ishte një premtim i qeverisë për qytetin që u bë realitet". Ndërsa, arkitekti Piro Stefa shprehet se“Transballkanikja” krijoi një dimension tjetër për Vlorën, në funksion të rikonceptimit të qytetit, drejt një shtrirjeje në hapësirë me kahje nga perëndimi". Ndërkaq, rikonstruksioni i rrugës hyrëse të qytetit të Vlorës, që u realizua përmes një projekti të financuar nga qeveria me një vlerë prej 23 milionë lekësh, ka ndryshuar pamjen estetike të kësaj zone, duke lehtësuar njëkohësisht qarkullimin. “Puna ka filluar edhe për një investim tjetër madhor për qytetin: ndërtimin e ujësjellësit të ri, një projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj të Holandës, me vlerë prej rreth 26 milionë euro. Aktualisht, procesi i vendosjes së tubacioneve të parametrave të mëdhenj ka përfunduar në bulevardin kryesor Vlorë-Skelë dhe brenda pak ditësh, këtu përfundon edhe riparimi e asfaltimi i pjesëve të dëmtuara të rrugës nga punimet. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Halim Dervishaj, thotë se “në bashkëpunim me drejtuesit e firmës “Albstar”, që po kryen punimet, është hartuar një grafik i posaçëm, përmes të cilit do të garantohet normalitet në pjesën më të madhe të rrugëve”. Për këtë qëllim punohet pa ndërprerje përgjatë 24 orëve.
Resurset kulturore
Janë më shumë se 40 objekte të tjera me vlerë historike e arkeologjike, në qytetin e Vlorës, që gëzojnë statusin “Monument Kulture” dhe që ofrojnë për vizitorët kureshtje dhe mundësi për njohjen e vlerave të krijuara në breza. Skënder Spahiu, përgjegjës i muzeumeve, thotë se “me një fond të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve është në përfundim rikonstruksioni i godinës së Muzeut Historik dhe sapo ka përfunduar një projekt i ngjashëm tek Muzeu Etnografik. Ndërkohë, Krenar Shtino, drejtor i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, shprehet se kanë përfunduar prej kohësh përgatitjet për sezonin turistik. "Ky objekt menaxhohet sipas një programi të ri, që është shoqëruar me rritjen e interesit të vizitorëve", thotë ai, duke shtuar se"mijra vizitorë nga vendi dhe të huaj, kanë frekuentuar mjediset e muzeut gjatë dy muajve të fundit".
Institucionet, të gatshme për standarde në sigurinë ushqimore
Institucionet lokale kanë përgatitur një program bashkëveprimi për të garantuar standardet e duhura në sigurinë ushqimore dhe higjienës. Bruna Ndreu, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, shprehet se do të bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Drejtorinë e Higjienës dhe Ushqimit, në Bashkinë e qytetit. “Programi synon kryerjen e kontrolleve periodike në të gjitha njësitë e tregtimit dhe shërbimeve që operojnë në Vlorë, duke u fokusuar veçanërisht tek restorantet, hotelet përgjatë bregdetit, tek pikat e therrjes dhe tregtimit të mishit dhe peshkut, etj”, sqaron Ndreu.
Hotelet, në fazën e fundit të përgatitjeve
Në bregdetin e Vlorës funksionojnë rreth 40 hotele, me një kapacitet akomodimi prej 1600 shtretërish dhe rreth 8000 njësi të turizmit familjar. Sokol Muçaj, administrator i një hoteli luksoz në zonën e Skelës, tha se është në fazën e fundit të përgatitjeve për sezonin. Hoteli ka 15 dhoma, të përshtatura me standarde mjaft të larta luksi e komoditeti. Në të njëjtën situatë janë edhe pjesa më e madhe e hoteleve e restoranteve në këtë qytet. Fejzoja, një nga ortakët e hotel “Pavarësia”, Fatmir Hanxhari, administrator në hotel “Vlora International”, Liroja, që i ka vënë kompleksit emrin e tij, shprehen se "për ta faza e përgatitjeve është në përfundim dhe të gjithë presin turistët e parë".
...