Olli Rehn dënon ashpër vrasjen e deputetit Xhindi

Deklaratë e Komisionerit të KE-së për Zgjerimin, Olli Rehn
Komisioneri për Zgjerimin pranë Komisionit Europian, Olli Rehn, dënon vrasjen e deputetit të parlamentit shqiptar, Fatmir Xhindi. Sipas një njoftimi të sotëm për shtyp të zyrës së KE-së në Tiranë, deklarata e komisionerit Rehn, ndërsa dënon me forcë aktin e rëndë ndaj deputetit Xhindi, kërkon nga autoritetet shqiptare hetimin me shumë kujdes të këtij krimi. "Dënoj me forcë vrasjen e Fatmir Xhindit. Dua t'i përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe miqve të tij. I bëj thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë këtë krim me shumë kujdes dhe të sjellin para drejtësisë autorin e saj", citohet deklarata e zyrtarit të KE-së. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi, u vra me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës (2 maj) pranë shtëpisë së tij në Roskovec, nga persona ende të panjohur. Ngjarja e rëndë tronditi jo vetëm politikën shqiptare, por edhe opinionin publik. Aktualisht, Qeveria shqiptare është angazhuar maksimalisht për gjetjen dhe çuarjen para drejtësisë të autorëve të këtij krimi, duke ofruar një shumë prej 250 mijë eurosh për personat që do të ndihmonin hetimin me informacione të vlefshme. Drejtuesit më të lartë të shtetit duke përcjellë ngushëllimet për familjen e deputetit të vrarë kanë dënuar me forcë ngjarjen rëndë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi e cilësoi "një krim ekstremisht të rëndë vrasjen e deputetit socialist". Kryeministri Sali Berisha në deklarimin e tij u shpreh se "Qeveria do të marrë të gjitha masat e do të përdorë të gjitha mjetet e hetimit për të zbuluar e ndëshkuar dorën e zezë kriminale, të autorit apo autorëve që qëlluan mbi debutetin Xhindi". Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në emër të deputetëve të parlamentit, shprehu mbështetjen maksimale ndaj forcave të policisë që janë në kërkim të kriminelit, duke theksuar se institucionet do e dënojnë atë me dënimin më të prerë. Ndërsa, kryetari i PS-së, Edi Rama në deklarimin e tij tha se "ngjarja është tepër të rëndë, sepse është vrarë një qytetar që mbronte interesat e shumë qytetarëve. Për momentin i bashkangjitemi dhimbjes së familjes, ndërkohë që presim të zbardhen rrethanat e ngjarjes".
...