Në peridhën 2006-2009, në Durrës miliarda lekë investime në rrugët me impakt turistik
Qeveria shqiptare gjatë periudhës 2006-2009 ka investuar mbi 1.5 miliardë lekë për zgjerimin dhe rikonstruksionin e rrugëve me impakt turistik në qarkun e Durrësit. “Realizimi i financimit të projekteve me vlerë prej qindra milionë lekësh, ka mundësuar lëvizjen e turistëve dhe pushuesve drejt plazheve të reja, si dhe ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve në rrugët drejt Krujës dhe pikave turistike malore të Sarisalltikut dhe Qafë Shtamës”, tha në një intervistë dhënë sot kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha. Sipas tij, qindra milionë lekë janë investuar në hapjen e rrugëve të reja apo në zgjerimin dhe rikonstruksionin e rrugëve ekzistuese, të cilat, megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zonën bregdetare prej 62 km të qarkut, kanë “tërhequr” një pjesë të mirë të qarkullimit të automjeteve, duke lehtësuar trafikun drejt plazheve të njohura dhe më pak të njohura nga Shkëmbi i Kavajës në jug deri në Kepin e Rodonit në veri..
Drejt plazheve të gjirit të Lalzit
“Investimi më i rëndësishëm në zonën veriore bregdetare të qarkut të Durrësit mbetet sistemimi dhe rikonstruksioni i segmentit rrugor Maminas-Shën Pjetër, me gjatësi 22 km, me një financim prej mbi 1 miliardë lekësh", tha Kërtusha. Punimet që po vazhdojnë intensivisht janë kryer në më shumë se 85 për qind të projektit dhe asfaltimi ka përfunduar nga Manza deri në fshatin Shkafane. “Kjo rrugë, krejtësisht e rindërtuar me parametra bashkëkohorë, do të “zbulojë” për të gjithë vizitorët një nga plazhet dhe zonat më tërheqëse të të gjithë bregdetit të qarkut”, tha kryetari Kërtusha. Sipas tij, rruga e rindërtuar do t'i shërbejë kryesisht pushuesve që shfrytëzojnë superstradën nga Tirana dhe Durrësi, por mbi të gjitha ajo do të rivlerësojë një nga zonat deri tani të panjohura të komunës së Ishmit, ku bregdeti me rërë kurative, pylli me pisha, agroturizmi, peizazhi kodrinor dhe kuzhina tradicionale kombinohen me disa monumente të rëndësishme arkeologjike dhe historike si Kalaja e Ishmit dhe ajo e Skenderbeut në Kepin e Rodonit, bazilika e Gjuricajt, etj. Ky territor me vlera mjedisore të mrekullueshme, mjaft i njohur në periudhën mesjetare të popullit shqiptar, gjatë 50 vjetëve të diktaturës komuniste u bunkerizua plotësisht. “Rruga e re do t’i japë një shans të madh zhvillimi banorëve të komunave të Ishmit, Manzës dhe Sukthit”, cilësoi zoti Kërtusha.
Plazhet në veri të qytetit vetëm 30 minuta larg
Gjatë sezonit të kaluar turistik pushues nga i gjithë vendi apo dhe nga Kosova e Maqedonia “shijuan” një plazh të ri, shumë pak të njohur edhe për “durrsakët e vjetër”, i cili shtrihej nga sektori Rinia deri në grykëderdhjen e lumit Erzen, në një vijë bregdetare prej 4 km. Rruga Spitallë - Shën Vlash - Sektori Rinia, e cila u ndërtua në vitet 2007-2008 me një investim të përgjithshëm prej 225 milionë lekësh, ka shkurtuar ndjeshëm kohën e mbërritjes nga qendra e qytetit bregdetar deri në plazhet e reja. Një banor i Durrësit, Gazmend D, tha se “në këtë zonë ka shkuar për peshkim që në fillim të viteve 1980, por tashmë me automjetin e tij nuk i duhen më shumë se 30 minuta”. “Ishte një rrugë krejtësisht e amortizuar, një ferr i vërtetë jo vetëm për banorët e fshatrave të komunës së Katundit të Ri, por edhe për të gjithë ata që dëshironin ta kalonin një ditë ndryshe në një plazh të qetë dhe larg zhurmës së Golemit apo plazhit të Durrësit”-shprehet Gazmendi, i cili edhe ditën e dielë ka shkuar me familjen në një nga restorantet e rinj që janë hapur kohët e fundit pranë pyllit me pisha. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Kërtusha, thotë se projektet për të ndërtuar një fshat turistik në këtë zonë, njëlloj si dhe në krahun verior të Gjiut të Lalzit, do të bëhen realitet së shpejti. Rruga e re ka rritur vlerën e tokës në këtë zonë dhe fermerët i janë rikthyer punëve bujqësore, pasi produktet e tyre nuk kërkohen vetëm në tregjet e Durrësit apo Tiranës, por edhe në tregun e ri turistik të bregdetit që po zgjerohet çdo ditë.
Miliarda lekë investime në akset rrugore kombëtare të qarkut
Në fillim të këtij viti popullsia e qytetit të Durrësit ka arritur shifrën rekord prej 200 mijë banorë. “Në 3 mijë vjet të jetës së tij qytetare Durrësi nuk ka patur asnjëherë kaq shumë banorë”, thotë kryetari Kërtusha, duke shtuar se “ndërkaq në 6 bashkitë dhe 10 komunat e qarkut të Durrësit dhe të Krujës regjistrohet shifra prej afro 400 mijë banorë”. Sipas tij, rruga hyrëse e qytetit nga Ura e Dajlanit deri në Mauzoleun e Dëshmorëve, me një financim prej 250 milionë lekë, e rindërtuar tre vjet me parë me të gjitha parametrat evropianë të infrastrukturës, i hapi rrugën projekteve të tjera infrastrukturore që kanë përfunduar ose që po realizohen aktualisht me fondet e qeverisë shqiptare. “Tashmë nga Plepat, 6 km në jug të qytetit, deri në kufirin me Kavajën, po punohet intensivisht për të dyfishuar trasenë e rrugës që shkon drejt jugut të vendit dhe investimi i përgjithshëm i qeverisë i tejkalon 6 miliardë lekë”, tha Kërtusha, duke shtuar se “5.5 miliardë lekë të tjera investime po realizohen në superstradën Fushë Krujë-Milot, ndërsa sistemimi i superstradës Tiranë-Durrës, që do të përfundojë brenda muajit qershor, kap një shifër prej 600 milionë lekë”. Sipas Kryetarit të Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, “të gjitha këto investime të mëdha në infrastrukturën rrugore të qarkut të Durrësit dhe të atyre pranë tij, do ta kthejnë bregdetin si dhe zonat malore pranë Krujës, në qendra të vërteta turistike jo vetëm në stinën e verës, por gjatë gjithë vitit”.
...