E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekali blen Gramshin: Do investoj 500 mijë euro

 

Leonard Karaj

Ka surprizuar të gjithë. Bosi dhe njëkohësisht eurodeputeti rumun Xhixhi Bekali ka blerë klubin e Gramshit. Më 22 shtator sipas mediave rumune do të bëhet edhe zyrtarizimi i kësaj marrëveshje, e cila gjen konfirmim edhe nga drejtuesit lokalë në këtë qytet. Multimiliarderi, padron i një sërë objektesh si dhe i klubit të famshëm, Steaua i Bukureshtit ka pohuar se dëshiron të kthehet në tokën e të parëve të tij për të investuar më shumë se 500 mijë euro. Sipas mediave rumune "Pro Sport", Bekali e ka origjinën nga Grabova e Gramshit, nga ku prindërit e tij emigruan në Rumani. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë ai në një intervistë në mediat rumune. "Po shkoj të investoj në tokën dhe gjakun e prindërve të mi. Kam gjetur terrenin e përshtatshëm dhe jam i kënaqur që marrëveshja do të realizohet pa problem", ka pohuar Bekali. Para disa ditësh në mediat rumune u hodhën hipoteza edhe për një mundësi të blerjes së klubit të Partizanit por Bekali ka preferuar ta nisë investimin e tij në Shqipëri nga zeroja, përderisa skuadra e Gramshit militon aktualisht në Kategorinë e Dytë në kampionatin shqiptar. Për më tepër sipas mediave klubi i Partizanit nuk i siguronte Bekalit disa nga gjërat që ai kishte kërkuar, si stadiumin dhe sigurinë e investimit, ndaj edhe ai kërkoi që të blinte klubin e Gramshit përkundrejt Partizanit të Bert Xhanit. Ndërkohë mediat rumune japin edhe detaje të asaj çka Bekali ka nisur të bëjë si fillim në Gramsh. Ai do të ndryshojë emrin e skuadrës, e cila do të quhet më pas Steaua e Gramshit si dhe do të investojë tek stadiumi i qytetit i cili më pas do të quhet "Xhixhi Bekali". Më tej ai do të investojë edhe në një fabrikë uji si dhe projekte afatgjata të cilat nuk janë bërë ende të ditura për shtypin. Xhixhi Bekali njihet më së shumti për influencën që ka pasur dhe ka në futboll sidomos në atë rumun ku skuadra si ajo e kombëtares por edhe Steaua falë tij kanë pësuar ndryshime thelbësore. Së fundmi ai hoqi dorë nga menaxhimi i klubeve të futbollit për shkak të impenjimeve të mëdha, edhe si eurodeputet në parlamentin evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›