E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emisione shqiptare në ekranet kanadeze

 

Një dritare mbi kupolën e botës. Aromë prej dheut të lindjes. Lidhje, kujtesë... Ndonëse vendi i tyre nuk mundi t'i mbante, t'u jepte ç'kërko-nin në një kohë të vështirë, nuk do të thotë se ata nuk duan ta mbajnë atë. Qindra shqiptarë që jetojnë tashmë në Kanada, kanë tanimë një mundësi më shumë për ta ndierë pranë vendin e tyre. Bëhet fjalë për dy seriale emisionesh televizive, të cilat i kushtohen tërësisht Shqipërisë. Nuk janë ritransmetime emisionesh të prodhuara në Shqipëri, por programe të krijuara enkas për shqiptarët në Kanada, nga një staf artistësh e gazetarësh. Bëhet fjalë për emisionet "Albanian wave" dhe "Pasqyra shqiptare". Nga vetë titujt e përzgjedhur për këto emisione, ato janë një pasqyrë e ngjarjeve politike, sociale e kulturore në Shqipëri, por edhe të komunitetit shqiptar atje. I pari që hapi rrugën e kësaj sfide, ishte programi "Pasqyra Shqiptare". Është një emision i përjavshëm në gjuhën shqipe, prodhim i kompanisë me të njëjtin emër, që transmetohet nga stacioni televiziv "OMNI 1", Toronto. Krahas natyrës kulturore, emisioni ofron informacion dhe lajme. "Pasqyra shqiptare" është një përmbledhje kronikash dhe telereportazhesh nga jeta e shqiptarëve të Kanadasë, si dhe mbi ngjarjet e figurat më të rëndësishme të kulturës dhe artit nga Shqipëria dhe trevat shqiptare. Ishte gusht i vitit 2002, kur nisi të transmetohet për herë të parë dhe tanimë ka arritur në emisionin e tij të 365. Drejtues dhe producent i emisionit është Ilir Lena, ndërsa bashkëpunëtorë janë emra të njohur të televizionit shqiptar, si regjisori Esat Teliti, kameramanët Arben Tafili e Arben Muka, website designer, Fitim Syla, ndërsa informacionet vijnë përmes zërit të Abtigoni Papaspathit. Gati 6 vjet më vonë, në prill të vitit 2008, nisi rrugën "Albanian wave" si një emision i përdyjavshëm, po në gjuhën shqipe, prodhim i kompanisë televizive "Pasqyra Shqiptare", që transmetohet nga stacioni televiziv "Rogers TV" Toronto (kanali 10 ose 63 i Rogers Cable). Emisioni ka kryesisht natyrë kulturore dhe artistike. Hapësira e tij i dedikohet më së shumti portreteve të shqiptarëve të njohur, që kanë lënë gjurmë me artin dhe punën e tyre në fusha të ndryshme të kulturës. Nuk mungojnë edhe portretet e shqiptarëve të suksesshëm në Kanada, si dhe kronika mbi ngjarjet artistike e kulturore të komunitetit shqiptar në Greater Toronto Area. Kështu gjatë hapësirës së këtyre emisioneve kanë gjetur veten artistë të njohur, historianë e futbollistë, si kompozitori dhe instrumentisti Agim Krajka, klarinetisti Petrit Çeku, skenografi Rudi Koçi, historiani Arben Puto, futbollisti Lorik Cana, regjisori Viktor Gjika, këngëtarja popullore Irini Qirjako, gazetari amerikano-shqiptar Eric Margolis, këngëtarja Eneida Tarifa, etj. Nuk kanë munguar ngjarje të veçanta kulturore, apo transmetimi i dokumentarëve, si ai "Shqipëria, vendi përballë" ("Albania, paese di fronte"), me regji të Roland Sejkos që ofron pamje të rralla nga arkivat italiane e shqiptare, qysh prej fillimshekullit të kaluar, mbi historinë e Shqipërisë.
Realizuesit e emisioneve "Pasqyra shqiptare" dhe "Albanian wave" janë përpjekur të ecin me ritmin e kohës, për të pasqyruar gjithçka ndodh në vendin e tyre të origjinës, por edhe në shtëpinë e tanishme, duke i kthyer ato në programet më të ndjekura të shqiptarëve në Kanada.

Oraret

"Albanian wave"
Transmetohet çdo dy të shtuna në orën 11:30 të mëngjesit dhe ritransmetohet të mërkurën pasuese në orën 17:30 në stacionin televiziv "Rogers TV" Toronto (kanali 10 ose 63 i Rogers Cable).

"Pasqyra shqiptare"
Transmetohet çdo të shtunë në orën 14:00 dhe ritransmetohet çdo të enjte në orën 07:30 të mëngjesit nga stacioni televiziv "OMNI 1", Toronto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›