E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, banorët e tërmetit: Do të braktisim vendlindjen

 

BULQIZË - Mëngjesin e së mërkurës, banorët e pakët të Bulqizës e Dibrës që kishin hyrë në banesat e tyre të plasaritura dhe dëmtuara nga tërmeti i 6 shtatorit u tronditën sërish. Nga ora 05:00 e deri në 06:00 të mëngjesit u ndjenë 3 tërmete të tjera me magnitudë 3 ballë të shkallës Rihter. "Ne të rriturit nuk flemë gjumë që nga e diela e javës së kaluar dhe detyrohemi t'u qëndrojmë pranë fëmijëve", thanë për "Panorama" banorë të Gjoricës së Poshtme. Ata thonë se më shumë se kushdo tjetër, ata dëgjojnë çdo lëkundje të tokës. Jo vetëm banorët e strehuar në shtëpitë më pak të dëmtuara i kanë braktisur ato, por dhe të rriturit që flenë në çadra janë zgjuar nga frika dhe janë interesuar për njerëzit e tyre të afërm. Ndërkohë në zonat e prekura nga tërmeti 7.2 ballësh i 12 ditëve më parë, po shfaqet një fenomen tjetër. Banorët të cilëve u janë dëmtuar rëndë shtëpitë dhe të tjerë që nuk kanë siguruar një çadër, po tentojnë të largohen nga vendlindja. Në rrugët e fshatrave dallon çdo orë të ditës njerëz të ndryshëm, me fëmijë për duar apo në krah që largohen nga fshati, duke tentuar të kërkojnë strehë te njerëzit e tyre, të njohur në zona të tjera të Dibrës e Bulqizës apo më larg, drejt Tiranës, Durrësit a gjetkë. As komuna dhe askush tjetër nuk tenton të ndalë këtë valë largimesh nga zona e dëmtuar nga tërmeti. Ndërkohë thuhet se 5 grupet e numërimit kanë vlerësuar deri dje pasdite 550 objekte të dëmtuara, ndërsa 2 mijë objekte rezultojnë të dëmtuara plotësisht ose pjesërisht nga tërmeti i së dielës. Tërmeti i rënë mbrëmjen e 6 shtatorit vazhdon të ketë pasojë për banorët, të cilët nuk kanë asnjë zgjidhje strehimi, veç çadrave të ushtrisë. Ulja e temperaturave dhe nisja e sezonit të shirave vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën në komunat e Bulqizës. Si të vetmen zgjidhje ata thonë se u ka mbetur shpërngulja e tyre drejt zonave të tjera, më të parrezikshme.     h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›