E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hotel "Dajti" pret sot Bienalen e Tiranës

 

Nga shkëlqimi i dikurshëm ka mbetur vetëm mermeri i kuq i dyshemesë dhe llampadaret që varen nga tavanet e lartë. Gjithçka tjetër është vetëm hija e mjeruar e ndërtesës më të famshme në Tiranë, hotel "Dajti". Këto ditë korridoret e tij gumëzhijnë si dikur. Nuk bëhet fjalë për bujtës netësh, apo pjesëmarrës konferencash, por artistë që flasin gjithfarë lloj gjuhësh e që kanë ardhur në kryeqytetin shqiptar, për të marrë pjesë në Bienalen e Tiranës. Edicioni i katërt i ngjarjes më të madhe të artit pamor në vend, nën temën "Efecienca simbolike e të parit", hap dyert sot në mbrëmje, në një vend të pazakontë, siç është hotel "Dajti". Është kjo ndërtesë që ka parë të ngrihen e të bien disa sisteme shoqërore në Shqipëri, filli lidhës i tre episodeve të bienales së këtij viti. Rreth 60 artistë nga vende të ndryshme të botës marrin pjesë në këtë ngjarje. Disa prej tyre ofruan punë të gatshme, në përshtatje me vendorganizimin e bienales, të tjerë kanë ndërtuar punët e tyre, apo i kanë në proces, pas frymëzimit që morën nga historia e hotelit të famshëm, tanimë të braktisur. Nuk u është dashur pak punë organizatorëve për ta sjellë disi në "formë" ndërtesën, e cila falë punëve të instaluara nëpër muret e saj, ka marrë një tjetër pamje. Në ambientet e katit të parë, të dytë e të tretë, janë vendosur kolazhe fotografish, pikturash, ekrane gjigantë ku do të projektohen video. Gjen aty portrete njerëzish gjithëfarësoj, që mund të jenë politikanë të mundshëm, vrasës të mundshëm, apo edhe dashnorë. Të gjithë mund të kenë qenë vizitorë të hotelit të dikurshëm. Punëve të instaluara tanimë, që sot pasdite do të mund të shihen nga publiku, do t'i shtohen në vijimësi të tjera skulptura e instilacione, që lidhen me temat e episodeve të mëtejshme, që do të kurohen nga kuratorë të ndryshëm. Përveç "selisë" qendrore ku do të fokusohet edhe vëmendja kryesore e ku do të zhvillohen edhe takime mes artistësh e arkitektësh, do të zhvillohen edhe disa aktivitete satelite. Një prej tyre është ai i "bojatisjes" së pallateve. Një projekt që vijon qysh nga bienalet e shkuara, por nga të tjerë artistë, të cilët kanë zgjedhur të tjera ndërtesa në Tiranë dhe të tjera tema, siç janë ato ambientale. Në këtë edicion do t'i kushtohet një vëmendje e veçantë arkitekturës dhe urbanistikës, duke sjellë shembuj konkretë nga zhvillimet më të fundit në Tiranë. Do të ketë shembuj nga përplasjet më të "nxehta" në kryeqytet, aty ku prona private përballet me publiken dhe pasojat që kanë rrjedhur nga ky "dyluftim". "Kanë ndodhur shumë zhvillime në fushën e ndërtimeve, zonave informale, për shkak të mungesës së urbanistikës, etj., por analiza ka pak dhe ky episod do të fokusohet më së shumti në diskutimin mbi këto fenomene, duke marrë shkas nga Tirana, por duke gjetur raste të ngjashme në rajonin e Ballkanit, ku fenomenet janë të ngjashme, por dhe nga vendet e tjera të njohura për zonat informale, si Amerika Latine, Azia, Kina, etj.", - thotë muratori Edi Muka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›