E drejta Televizive, Tirana nuk firmos
E drejta TV has sërish në pengesë. Fakt është se klubi i Tiranës nuk ka pranuar që të firmosë kontratën e ofruar nga UFA Sports nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nëse ekziston një marrëveshje duhet që aktorët kryesorë që firmosin të marrin më pas përgjegjësitë si për të mirat dhe për dështimet, çka shihet me të drejtë me shumë skpeticizëm nga klubi i Tiranës. Sipas presidentit bardheblu Refik Halili, Tirana nuk mund të firmosë një kontratë në të cilën nuk është palë, pra protagonist kryesor në marrëveshje. "Shikoni arsyeja që nuk kemi firmosur është shumë e thjeshtë. Ne kemi pranuar në përgjithësi ofertën e bërë nga kompania UFA Sports por asesi nuk mund të nënshkruajmë kur nuk jemi ne protagonistë të kësaj marrëveshje. Kjo për faktin se në plan të parë ka dalë federata e cila mbron në këtë rast të drejtat tona. Kjo gjë mua më duket absurde pasi Tirana mund dhe duhet që të marrë parasysh si benificet por edhe problemet që mund të lindin nga nënshkrimi i kësaj kontrate. Mua me të drejtë më lind pyetja: çfarë ndodh, ne firmosim dhe federata merr të drejtën që të bëjë sekserin me kompaninë UFA Sports dhe në një ditë të bukur ajo për arsye nga më të ndryshmet prish marrëdhëniet me këtë kompani? Cili do të mbrojë më pas interesat tona dhe të klubeve në përgjithësi? Pra është gjëja më normale që në një marrëveshje palët të kenë rolin e tyre dhe të mos anashkalohen", ka pohuar presidenti i Tiranës. Në vijimësi arritja e marrëveshjes mes kubeve të Superligës dhe kompanisë UFA Sports ekziston por po aq ekziston edhe rreziku që gjithçka të dështojë në momentet e fundit. Shkak janë, jo pak por dy nga klubet më elitare në Shqipëri të cilat me të drejtën e tyre kanë optuar për variante të ndryshme lidhur me të ardhurat që mund të marrin gjatë këtij sezoni. Pa Dinamon e cila ka firmosur me Tring TV dhe pa një Tiranë, e cila kërkon minimalisht që të jetë palë në marrëveshje, duket se gjithçka do të dështojë.