"Rrashbulli", abuzimet i zbuloi KLSH
DURRES/OERD ULQINI
Dosja "Rrashbulli" kishte rënë në duart e prokurorëve të Durrësit që në fillim të vitit 2007, por imuniteti i deputetit Flori Bajramaj, u kishte "prangosur" duart hetuesve. Fakti bëhet i ditur për "Panorama" nga burime të brendshme të akuzës. Ka qenë një raport i detajuar i KLSH-së që daton vitin 2007, ai i cili nxirrte në dukje shkelje të shumta administrative dhe penale të kryera nga KRRT-ja e komunës. Në thelb të këtyre shkeljeve ishin lejet për pallatet shumëkatëshe (ligji parashikonte në atë zonë ndërtime 2-3 kate) si dhe pamundësia për të rikthyer në origjinë pyllin me pisha të Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës. Raporti, i cili kishte nxjerrë elementë të veprës penale të konsumuara nga ish-juristi i komunës Rrashbull Flori Bajramaj dhe ish-shefi i Urbanistikës Pasho Beqiri, është mbajtur në sekret të plotë, deri në skadimin e imunitetit të Bajramajt. Por pavarësisht se juristi gëzonte mandatin e deputetit, hetimi ndaj tij ka vazhduar pa ndërprerje, ndonëse me ritme të ngadalësuara, duke u pajisur pas denoncimit të vitit 2007 edhe me elementë të tjerë që faktojnë akuzën për "shpërdorim detyre". "Arrestimi kur kishin kaluar dy vjet nga denoncimi i KLSH-së ka qenë një zgjedhje taktike e Prokurorisë së Durrësit", bëri me dije një burim anonim nga akuza. Pasi është njohur imtësisht me dosjen "Rrashbulli" prokuroria ka sekuestruar një mal me dokumente, të cilat janë kryesisht mbi 50 dosje të sekuestruara (leje sheshi dhe leje ndërtimi) si dhe qindra korrespondenca të Komunës me Këshillin e Qarkut të Durrësit, Bashkinë e këtij qyteti dhe KRRTRSH-në. Burimet nga Prokuroria shprehen se shkeljet masive dallohen kryesisht në brezin bregdetar, por të tilla janë konstatuar edhe në thellësi të territorit rural. Ndër të tjera shkelje të dosjes "Rrashbulli" Prokuroria e Durrësit rendit mungesën e kontratave të sipërmarrësve, si dhe faktin që shumë ndërtime nuk kanë tapi trualli ose i kanë siguruar ato më pas. Megjithatë sipas organit të akuzës shumica e shkeljeve të kryera nga Bajramaj dhe Beqiri janë administrative, ndërsa ato penale janë në një numër më të vogël. Në raportin e KLSH-së për Rrashbullin ndër të tjera thuhej se ka shkelje të ligjit "Për Urbanistikën". Ndërsa periudha e saktë e marrë nën hetim të detajuar është ajo mes viteve 2004-2005. Organi i Prokurorisë së Durrësit deklaron se "është arrestuar juristi Bajramaj, pasi ai kishte njohuri dhe dijeni të plotë mbi ligjet në fuqi, të cilat edhe i ka shkelur si dhe shefi i Urbanistikës, pasi edhe ai ka injoruar ligjin përkatës". Sipas Prokurorisë nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të listës së të arrestuarve, nëse do të provohet se edhe të tjerë kanë pasur gisht në këtë proces të jashtëligjshëm. Nga burimet e akuzës mësohet se "aktualisht çdo eksponent i KRRT-së në komunën Rrashbull është vënë nën hetim, madje edhe kryetari i saj, por do të jetë Gjykata e Faktit të Durrësit ajo që do të cilësojë të fajshëm apo të pafajshëm të tjerët e listës së Prokurorisë".
Abuzimet me lejet, e gjithë komuna nën hetim të prokurorisë
Hetuesit e Prokurorisë së Durrësit konfirmojnë faktin se kryekomunari Hysen Gashi është marrë më parë në pyetje, lidhur me denoncimin e KLSH-së. Deponimi i tij është depozituar, duke iu bashkangjitur kështu dosjes së përfolur. Por edhe përfaqësues të tjerë të KRRT-së janë marrë në pyetje, për të zbardhur të njëjtat probleme. Prokuroria njofton se: "E gjithë komuna (pjesa vendimmarrëse e saj) është nën hetim, por do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit". Rrashbulli është zgjuar i tronditur nga lajmet e mëngjesit. Në çdo cep të Komunës më të madhe në Durrës, me 27 mijë banorë tema e vetme e bisedave ishte arrestimi i dy njerëzve, nga më të njohurit e kësaj zone. Flori Bajramaj, i cili deri pak javë më parë ishte deputet i zonës është prangosur, por për banorët lajmi është i pabesueshëm. Kafetë e qendrës së komunës "zienin" nga bisedat e gjithsecilit, ku i gjithë komuniteti shprehte keqardhjen për deputetin e tyre të dashur. Por pavarësisht atmosferës që sundonte në Rrashbull, puna në komunë ka vijuar fare normalisht. Kryekomunari Hysen Gashi, është paraqitur në zyrë nga ora 08:00 deri në 11:00 dhe më pas është larguar. Kontaktimi me të ishte i pamundur, pasi kishte fikur edhe celularin. Ndërkohë që si nënkryetari Buqeza, ashtu edhe titullarët e tjerë të komunës, kanë qëndruar gjatë të gjithë kohës në zyra, por duke mos bërë asnjë koment për ngjarjen.
Të arrestuarit: Jemi pa faj
Ish-deputeti Flori Bajramaj dhe ish-shefi i urbanistikës në Rrashbull Pasho Beqiri vetëdeklarohen të pafajshëm, përpara hetuesve. Në seancën e parë teksa janë marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes si Bajramaj, ashtu edhe Beqiri kanë mohuar akuzat. "Të pandehurit kanë qëndruar në rrethana mohuese, ndaj akuzave për shpërdorim detyre, ndonëse pretendimet e tyre për pafajësi janë të paargumentuara", tha një burim nga akuza. Ligjshmëria e arrestimit të tyre do të shqyrtohet në orët në vazhdim nga Gjykata e Faktit të Durrësit, e cila pasi të ketë dëgjuar akuzën e formuluar nga Prokuroria si dhe palën mbrojtëse, do të marrë vendim mbi masën shtrënguese ndaj tyre.
Në dosje dhe ish-pronarët
Hetimi i nisur nga KLSH-ja në vitin 2007, është pasuruar gjatë rrugës edhe me elementë shtesë, siç është rasti i denoncimeve nga pronarët e kompensuar tek "Shkëmbi i Kavajës". Prokuroria bën me dije se: "Në dosjen "Rrashbulli" është përfshirë edhe një rast kur një ish-pronar i vjetër i kompensuar në truallin turistik me një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, nuk e ka marrë kurrë në dorëzim sipërfaqen, pasi ajo është bërë pjesë e një vendimmarrje të padrejtë nga ana e KRRT-së Rrashbull". Megjithatë, prokuroria saktëson se "në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me falsifikim dokumentesh, por vetëm me shpërdorim detyre nga ana e KRRT-së".