E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në Venecia: Mos na paragjykoni!

 

Alma Mile

"Mesazhi i filmit tonë, është dashuria për njëri-tjetrin". Kështu thotë skenaristi i filmit "Muajt e Mjaltit", Genc Për-meti, pas akuzave që ndonjë media i bëri për racizëm, pas premierës së tij në Venecia. Pas kësaj ngjarjeje të madhe të kinematografisë botërore, skenaristi tregon për prezantimin në Venecia dhe pritjen që i bëri kritika e publiku, të pari bashkëpunim shqiptaro-serb, me regji të regjisorit Goran Paskaljeviç. Kritika vuri në pah mjeshtërinë e regjisorit, lojën e aktorëve dhe mesazhin human, por pati edhe ndonjë akuzë për racizëm. Ka qenë Alessandra Mussolini, mbesa e Benito Mussolinit, ajo që e para ka akuzuar filmat e huaj në festival, mes të cilëve dhe atë shqiptar, për gjuhë të ashpër ndaj Italisë. Përmeti sqaron këtë çështje, si dhe rrugëtimin e mëtejshëm të filmit, nga Toronto, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Selanik, Montpelie, Ankara, etj.
Sapo jeni kthyer nga Venecia, ku filmi "Muajt e Mjaltit" pati premierën botërore. Si u prit, i pari bashkëpunim shqiptaro-serb?
Në datën 5 shtator ishte premiera e filmit shqiptaro-serb, "Muajt e Mjaltit", e cila u parapri nga një shfaqje për mediat. Të parat që shkruan për filmin ishin "Variety" dhe "Hollywood reporter". Në "Variety" vlerësohej në veçanti loja e aktorëve tanë, sidomos Yllka Mujo dhe Bujar Lako. Filmi u quajt një lloj zbulimi, pasi në këtë festival nuk kemi pasur shumë vepra filmike. I fundit ka qenë Fatmir Koçi me "Tirana viti 0". Salla "La perla" ishte plot me njerëz të industrisë së filmit dhe të kinemasë. Gjatë projektimit të filmit pati ovacione, gjë që na bëri të ndiheshim shumë mirë. Më tej ishte seanca e pyetje-përgjigjeve. Kritikat ishin shumë të mira. Në një intervistë, drejtori i "Venice days", Giorgio Cosetti, u shpreh se "Paskaljeviç ka gjetur çelësin që do të shpëtojë njerëzimin dhe ky çelës është dashuria për njëri-tjetrin dhe toleranca. Nëse ne duam të shpëtojmë botën, duhet të duam dhe të kuptojmë njëri-tjetrin". Ky ishte dhe mesazhi i filmit, për të cilin edhe u vlerësua.
"Muajt e mjaltit" u akuzua në mediat italiane, si një film "racist", ku bazoheshin këto akuza?
Gjatë ditëve të festivalit, pati shumë polemika sa i përket ekuilibrave mes gjuhës artistike dhe asaj politike. Ndër filmat shumë të diskutuar ishin, ai suedez "Ideokracy" dhe filmi rumun "Francesca", ku kishte një gjuhë agresive karshi Berluscon-it dhe znj. Mussolini, kjo bëri që të gjithë filmat e huaj të akuzoheshin për një gjuhë agresive kundrejt shtetit italian. Ndër këta filma u përfshi edhe filmi "Muaj e mjaltit", pavarësisht finales së tij, ku çifti shqiptar shkon në Itali. Megjithatë kritika e cilësoi filmin tonë si të ekuilibruar.
Megjithatë filmit nuk i mungojnë nuancat politike...
Kjo vepër filmike nuk mund t'i shpëtonte aspektit politik, pasi ajo që ne apelonim ishte që vendet e rajonit kanë pësuar ndryshime drastike dhe Shqipëria nuk është më ajo që kemi parë në filmin e Gianni Amelios, në '93-shin. Pavarësisht se nuk na pëlqeu, pavarësisht se donim dhe nuk donim ta pranonim, ajo ishte Shqipëria e atyre viteve. Por tashmë realiteti shqiptar është krejt tjetër dhe ne jemi munduar ta paraqesim në film. Ne u themi: "Mos na paragjykoni më. Shqipëria ka ndryshuar, rajoni ka ndryshuar dhe jemi gati për të qenë pjesë e Evropës dhe nëse ka zera kundër, apo skeptikë, janë të gabuar". Nuk kishte asnjë gjuhë agresive ndaj perëndimit, apo Italisë.
Ju nuk morët pjesë në konkurrim, apo jo?
Morëm pjesë në në seksionin "Venice days", ku u paraqitën prodhime autorë. Këtë vit në konkurrim merrnin pjesë 6 vepra filmike franceze, 4 gjermane, 4 italiane dhe një film izraelit, pra ka një hegjemoni të filmave me buxhete të mëdha, ndërsa filmi ynë është tipik autor, i cili quhet më së shumti film arti, sesa komercial dhe kjo e dha rezultatin menjëherë, sepse nesër (sot) kemi premierën amerikane në Toronto, në seksionin masters, ku marrin pjesë 14 filma të autorëve, që cilësohen klasikë, si Pedro Almadovar, etj. dhe ndihemi disi të përkëdhelur në sedër. Në Toronto kanë nisur tanimë të shkruhen kritikat e para, ku vlerësohet së pari historia dhe loja autoriale, por edhe regjia e fotografia. Është filmi i vetëm që nuk pati kritika negative, gjë që do ta thosha dhe për Venecian, ndërkohë që nuk ka munguar gjuha e ashpër për filma të tjerë.
Cili është fati i filmit pas Venecias?
Tashmë filmi ka marrë rrugëtimin e vet. Vetëm brenda tetorit janë tetë festivale si ai i Abu D'habit, Koresë, Montpeliesë, Ankarasë, Majemi, Goteborgut, San Karlos, Selanikut. Tek ky i fundit do doja të ndalesha, pasi "Honey moons" do të hapë festivalin. Më gëzon fakti, që pikërisht në atë vend, ku shqiptarët kanë qenë më të paragjykuar se kudo tjetër, një film shqiptar hap festivalin. Të mos harrojmë që një tjetër film shqiptar, ai i Fatmir Koçit, ka marrë aty "Aleksandrin e Artë". Festivalet ndihmojnë edhe në distribuimin e filmit, cili në dhjetor do të shfaqet në Francë, më tej në Zvicër, Gjermani.. Sapo kemi nënshkruar disa kontrata. Misioni ynë ishte të linim një shenjë pozitive, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë artistik dhe themi se kemi lënë.
Po premiera shqiptare, kur do të jetë?
Mbas shfaqjes në Selanik dhe Portugali, në 24 nëntor do të jetë premiera në Sava Center, në Beograd, me një kapacitet prej 3500 vendesh, ndërsa në 27 nëntor do të jetë premiera shqiptare. Jemi shumë të emocionuar, pasi publiku e pret me padurim shfaqjen e këtij filmi. Them se do të rrijë gjatë në kinematë shqiptare, pasi interesi është i madh dhe të gjithë duhet të kenë mundësi ta shohin.
Nëse në Shqipëri pritet me padurim, si është klima në Serbi?
Në Serbi nuk është më ai mentalitet, që sundonte në fillim të viteve 2000. Edhe atje kanë filluar të ndryshojnë gjërat. Kam qenë në Serbi gjatë xhirimeve dhe kam parë interes. Sigurisht që ka pasur disa media skeptike ndaj këtij bashkëpunimi shqiptaro-serb, por nuk pati atë reagim negativ që edhe pritej.  Dalëngadalë do të forcohet kjo klimë bashkëpunimi. E filluam me një film, ndoshta do të vijojmë me një tjetër.
Kjo do të thotë se Paskaljeviç ka ndër mend ndonjë tjetër projekt me Shqipërinë?
Momentalisht ai i është përkushtuar promovimit të filmit, pasi dëshiron që të zërë atë vend që meriton. Ai e konsideron atë si filmin e tij më të mirë. Të njëjtin mendim ka pasur edhe kritika, që e ka quajtur një vepër mjeshtërore, tepër humane me një theks pozitiv politik, që i drejtohet klasës politike evropiane. Ai bën thirrje që rajoni të pranohet në BE dhe që të mos ekzistojë më ai makthi që quhet Ballkan. Kur e pyetën nëse do të krijojë më filma si "Fuçi baruti", ai iu përgjigj se në momentin kur vendet tona do të jenë në Bashkimin Evropian do të ndalojë së bëri "Fuçi baruti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›