Bekam: Lavdinë e dua me Anglinë
05/06/2005 Dejvid Bekam është shprehur se do të ishte një zhgënjim i madh, nëse nuk do të çonte skuadrën përfaqësuese angleze drejt triumfit në Kupën e Botës, derisa të mbyllet karriera e tij. Aktualisht, Bekam është në moshën 30-vjeçare dhe në verën e ardhshme do të mundohet të tregojë në finalet e Botërorit të Gjermanisë se do të jetë hera e fundit që do të nderojë Anglinë si kapiten. Mbi të gjitha, ai kërkon të nxjerrë në pah se nuk është kapiteni, i cili ka patur shumë vështirësi për të gjetur formën e tij më të mirë në përfaqësuesen angleze. Madje, edhe trajneri Sven Goran Erikson mendon se skuadra angleze gjendet në momentin më të përshtatshëm për të treguar supermacinë e saj në kompeticionet ndërkombëtare. “Njerëzit më kanë thënë nëse do ta quaja veten një dështak, po të mos fitoja asgjë me Anglinë- ka thënë Bekam. Në fund të karrierës sime nuk dua ta mendoj kurrë fjalën dështim. Unë dua të them se të fitoj diçka të madhe me Anglinë, është gjëja më e rëndësishme që do të më pëlqente të arrija në mbylljen e karrierës sime. Padyshim këtë e dua si unë, por edhe trajneri e skuadra jonë. Më pëlqen sidomos, kur bëhesh protagonist, duke fituar një kompeticion të madh dhe gjithë tifozët ndjehen entuziastë për një sukses të tillë. Ndërkaq, për turneun mund të them se ai ka ecur shumë mirë për ne. Ka shumë lojtarë të rinj në skuadrën tonë, të cilët kanë treguar me të vërtet atë, çfarë kërkon trajneri prej tyre. Nuk është përgjegjësia ime, nëse një apo dy prej këtyre lojtarëve të rinj do të marrin pjesë në finalet e Botërorit 2006, por sidoqoftë jam i sigurt se ata janë perspektiva e vërtetë për Anglinë. Megjithatë, unë mendoj se për një kapiten është i rëndësishëm fakti, nëse lojtarët e rinj janë të gatshëm për të fituar sa më shumë nga eksperienca ime. Në fund të fundit kjo është edhe detyra ime”.