Raul kërkon shpjegime
05/06/2005 Vazhdon ende të jetë në pikëpyetje, e ardhmja e sulmuesit të Real Madridit, Raul Gonzales. Pas mosmarrëveshjeve me trajnerin e “galaktikëve”, Vanderlei Luksemburgo, largimi i tij nga klubi duket gjithmonë e më i afërt. Menjëherë pas ardhjes së anglezit Majkëll Ouen, vendi i kapitenit ka qenë gjithmonë në pikëpyetje dhe kjo është e tepërt për lojtarin e Kombëtares spanjolle. Për më tepër, sipas mediave vendase dhe atyre angleze, Liverpuli duket se është ndalesa e ardhshme e sulmit. Gjithsesi, për 27-vjeçarin, ky nuk është momenti për të biseduar për një largim nga “Bernabeu”, por ai ka kërkuar shpjegime për të ardhmen e tij, nga klubi madrilen, me të cilin po luan që nga viti 1995. “Pasi kam kaluar 11 vjet këtu, unë dua vetëm atë që është më e mirë për klubin”- ka deklaruar Raul. “Nëse është e nevojshme, që ndonjëherë unë të sakrifikohem në mënyrë që klubi të ecë përpara, atëherë do të bëj diçka të tillë. Nëse klubi të thërret dhe të thotë se duhet të largohesh, atëherë unë si lojtar duhet të jem i përgatitur për të plotësuar këtë kërkesë, por duhet të gjejmë një mënyrë që të gjithë të jemi të kënaqur”- vazhdoi më pas kapiteni. “Nëse shoh titujt e disa mediave, atëherë ndihem sikur duhet do të largohem pikërisht në këtë moment. Besoj se jam ende i dobishëm te klubi dhe nuk kam arritur akoma fundin. Dua të vazhdoj të qëndroj dhe gjithçka që dua është që klubi të jetë më i qartë me mua”- përfundoi Raul. Ky ka qenë një sezon mjaft i vështirë për sulmuesin dhe pas largimit të ish-partnerit të tij, Fernando Morientes, drejt Liverpulit, për vlerën prej 6.3 milionë eurosh, edhe Raul duket se është i gatshëm për të kaluar drejt “Ainfield”. Për më tepër, anglezët nuk e kanë fshehur kurrë interesin e tyre dhe sipas spekulimeve flitet për një ofertë rreth 15 milionë euro, për largimin e tij nga Reali.