Ringjallet Skocia
05/06/2005 Skocia regjistroi dje fitoren e parë në drejtimin e trajnerit të ri Uolter Smith, që është njëkohësisht edhe fitorja e parë e Skocisë në këto eliminatore. Në ndeshjen e zhvilluar në “Hampden Park”, skocezët arritën të mposhtin 2 : 0 Moldavinë modeste. Në fakt, Skocia ka vuajtur shumë për të zhbllokuar ndeshjen dhe në 45 minutat e para është gjendur përballë një mbrojtje shumë të organizuar. Por ankthi i skocezëve përfundoi në minutën e 53-të, kur zëvendësuesi Kristian Deili prishi ekuilibrin e takimit, duke shfryëtzuar mjaft mirë një dalje të pastudiuar të portierit mik. Moldavia sulmoi më shumë në minutat në vazhdim, duke shfrytëzuar edhe tërheqjen e skocezëve, por këta të fundit u shfaqën shumë të sigurtë në mbrojtje. Në minutën e 89-të, ka ardhur edhe goli i qetësisë për Skocinë, me autor një tjetër zëvendësues, Xhejms MekFejden. Sulmuesi i Evertonit shënoi golin e tij të gjashtë në 13 ndeshje të zhvilluara me Kombëtaren, ndërkohë që Skocia ka ringjallur shpresat për të kapur vendin e dytë në grup, duke qenë se ka edhe një ndeshje më pak se rivalet e saj, Norvegjia e Sllovenia.