Reali, ofertë “e çmendur” per Adrianon
05/06/2005 Adriano = Samuel + 40 milionë? Një ekuacion që i pëlqen shumë Interit dhe sidomos trajnerit Roberto Manccini. Deri pak kohë më parë, Interi deklaronte se Adriano nuk ishte absolutisht në shitje dhe se gjithçka tjetër ishte thashethem, por zërat e fundit që vijnë nga Spanja flasin për të kundërtën. Reali është gati të ofrojë shuma marramendëse dhe lojtarë për sulmuesin e fuqishëm brazilian, gjë që duket se e ka shtyrë Masimo Moratin të takohet me drejtuesit e Realit dhe të dëgjojë ofertën e tyre. Një ofertë që më shumë se një tratativë merkatoje, ngjan me një listë supermarketi: Figo, Samuel, Ouen, Guti e Solari janë emrat që ka vënë në “pjatë” presidenti madrilen Florentino Perez. “Zgjidh cilin të duash”, mësohet të ketë thënë Perez, por Morati dëshiron vetëm njërin prej tyre, argjentinasin Samuel, por edhe shifrën “modeste” prej 40 milionë eurosh shtesë. Duke parë vlerësimin që ka Perez për Adrianon, ka shumë mundësi që gjithçka të përfundojë së shpejti, por Interi duhet të ketë edhe garancinë se do të marrë Xhilardinon nga Parma. Pikërisht sulmuesi parmens është emri i vetëm në mendjen e Moratit që mund të zëvendësojë Adrianon. Por sa mundësi ka të kryhet gjithë kjo tratativë gjigante? Adriano ka deklaruar dje se nuk do të durojë shumë kohë pa trofe: “Sezonin e ardhshëm me siguri që do të vesh bluzën e Interit, por nëse nuk fitojmë asgjë, atëherë do të bëj kërkesë që të largohem pas Botërorit, që të mund të fitoj me një klub tjetër. Një lojtar ka nevojë të fitojë diçka të rëndësishme”. Nga ana tjetër, edhe trajneri Mançini do të preferonte Samuel dhe Xhilardinon, duke parë edhe marrëdhëniet e tij jo të mira me brazilianin. Ndërkaq, sipas mediave angleze, Emre ka arritur një marrëveshje me Njukasëllin, që do t’i paguajë Interit 5 milionë euro.