Bekam: Ëndërroj ta mbyll karrierën te Mançester
Në prag të ndeshjes së sotme kundër Milanit, Bekham i cili rikthet për herë të parë në “Old Trafford” që pas largimit ka theksuar se dëshira e tij ka qenë për të mos u larguar kurrë nga Mançesteri. “Do doja të qëndroja gjatë gjithë karrierës time në “Old Trafford” por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Kam qenë në tre klube që pas ikjes në 2003, por do të ishte e mrekullueshme të qëndroja këtu ashtu siç bëri Rajan Gigs. Të përfundoja karrirën time në këtë klub do të ishte me të vërtetë fantastike” është shprehur ish idhulli i “djajve të kuq”. Duke komentuar ish-skuadrën e tij lojtari e ka cilësuar Mançesterin si një ekip i cili ka lindur për të fituar. “Për to nuk ka rëndësi nëse ka edhe një pjesë për të luajtur apo janë dy minutat e fundit të ndeshjes. Lojtarët e Junajtid kanë lindur për të besuar se ato do të fitojnë edhe po të ketë vetëm një minutë lojë. Ato kanë mentalitetin i cili i bën mjaft të fortë për t’u mundur. Asnjë skuadër nuk shkon në “Old Trafford” dhe ta marrë fitoren pa luajtur një ndeshje të shkëlqyer” ka theksuar lojtari i Kombëtares Angleze. Për sa i përket aktivizimit të tij në këtë ndeshje 34 vjeçari ka shtuar: “është një ndeshje e madhe dhe mua më pëlqejnë sfidat e tilla. Në qoftë se do të më jepet shansi për të luajtur atëherë do ta vërtetoj se çfarë jam në gjendje të bëj për veten dhe për skuadrën”.