E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet 17-vjeçari në mes të Shkodrës



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Ekzekutohet pranë Universitetit të Shkodrës një 17-vjeçar. Eduard Thana u qëllua për vdekje prej një makine, ku dyshohet se ndodheshin dy persona. Krimi i parë për këtë vit në qytet u shënua rreth orës 18:30, në vendin e quajtur "Dugajt e Reja". Sipas dëshmitarëve që treguan ngjarjen për policinë, viktima po dilte në ato momente nga një lokal lojërash fati, pranë godinës së Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
Sapo Thana ka dalë nga lokali dhe po ecte në trotuar, drejt tij është afruar një automjet. Pasagjeri që ndodhej brenda ka nxjerrë një pistoletë dhe sapo ka qenë paralel me Thanën ka qëlluar 2-3 herë drejt tij. Në çastin që i riu është rrëzuar përtokë, autorët janë larguar me shpejtësi, në drejtim të zonës së spitaleve të Shkodrës. Kanë qenë persona të rastësishëm, të cilët fillimisht janë tmerruar nga krismat e armës, por më pas kanë vrapuar që t'i japin ndihmën e parë 17-vjeçarit. Transportimi për në urgjencë ka qenë i kotë, pasi plagët e marra në trup i kanë shkaktuar vdekjen Thanës. Forcat e policisë kanë mbërritur në vend, duke nisur hetimin mbi rrethanat e krimit dhe autorët e mundshëm të tij. Mësohet se adoleshenti ka qenë në një lokal të lojërave të fatit bashkë me disa shokë të tij, kur dikush e ka telefonuar. Shokët e tij deklaruan për grupin e hetimit se pas telefonatës Thana ka dalë i vetëm jashtë lokalit, ku edhe është ekzekutuar. Policia është duke hetuar edhe për telefonatën e adoleshentit, por për momentin nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera. Për në komisariatin e Shkodrës janë shoqëruar 15 persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Mes tyre ka pasur jo vetëm dëshmitarë, por dhe familjarë që mund të hedhin dritë mbi ndonjë konflikt apo problem të viktimës. Kushtet e errësirës në këtë segment rrugor e kanë favorizuar largimin me shpejtësi të autorëve, duke e vështirësuar identifikimin e tyre apo të mjetit me të cilin ata kanë qenë të pranishëm në këtë vrasje. Mësohet se Thana nuk ishte në shkollë dhe i papunë, ndërsa sipas policisë nuk rezulton të jetë person me precedentë penalë apo kontingjent për policinë në qytetin e Shkodrës. Dyshohet se dhe autorët të jenë moshatarë të tij, çka ka bërë që pista e parë e policisë për zbardhjen e krimit të lidhet me ndonjë sherr të momentit. Kjo është vrasja e parë për këtë vit në qytetin e Shkodrës, ndërsa kanë kaluar 5 muaj nga më e fundit e ndodhur në tetor të vitit të kaluar, rreth 400 metër larg vendngjarjes së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›