E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 11-shja që do drejtojë futbollin



Leonard Karaj

Një ekonomist, një agronom, një mësues, një inxhinier, dy juristë dhe pesë sportistë do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme futbollin shqiptar.
Ata janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, i drejtuar edhe për një mandat të tretë nga i rizgjedhuri në postin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Zgjedhjet e mbajtura dje në hotel “Adriatik” në Durrës kanë nxjerrë nga gara për një vend në ekzekutivin e FSHF-së Mehdi Zhegën dhe Gjergji Thakën ndërsa Kreshnik çipi dhe Mehdi Bushati nuk kandiduan fare për një mandat tjetër për në KE-në. Konkretisht për 9 vende, nga 11 që janë gjithsej, sepse në mënyrë automatike, presidenti i FSHF-së, Armand Duka (ekonomist), dhe presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve, Tahir Kastrati (mësues matematike), janë pjesë e Komitetit Ekzekutiv, në bazë të votave të delegatëve rifituan një mandat të ri, dy zëvendës/presidentët e FSHF-së, Bujar Kasmi (ish-sportist) dhe Lutfi Nuri (agronom) si dhe anëtarët Skënder Hyka (sportist), Muhedin Targaj (ish-sportist) dhe Arben Dervishit (inxhinier ndërtimi). Në komitetin e ri do të kemi edhe katër “new entry”, respektivisht Pjerin Fushaj (jurist), Abdyl Kuriu (ish-sportist), Aartan Hajdari (jurist) dhe Alfred Zijaj (ish-sportist).
Ndërkohë nuk kanë mundur të bëhen pjesë e këtij komuniteti për shuma pak vota edhe personalitet të tjera të sportit në vend të shumëpërfolur gjatë ditëve të fundit. Kështu as Sulejman Starova as Artan Shyti dhe as kryebashkiakët Qazim Sejdini (Elbasan) dhe Flamur Bime (Gjirokastër) nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e KE-së për katër vitet e ardhshme. Madje këta të fundit e kanë humbur “trenin e KE-së” për vetëm dy-tri vota. Duhet theksuar se në këtë asamble kufiri më i ulët për tu bërë anëtar ka qenë mjaft i lartë, 28 vota, duke treguar një përqendrim të votave tek të zgjedhurit e mësipërm.

Votimi për KE

1. Bujar Kasmi 43 vota
2. Pjerin Fushaj 39 vota
3. Lutfi Nuri 34 vota
4. Muhedin Targaj 33 vota
5. Abdyl Kuriu 32 vota
6. Artan Hajdari 29 vota
7. Arben Dervishi 29 vota
8. Alfred Zijaji 28 vota
9. Skënder Hyka 27 vota
Shënim: Armand Duka (si president) dhe Tahir Kastrati (president i shoqatës së gjyqtarëve) janë zgjedhur direkt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›