Çelet ekspozita “Rilindësit në sytë e të sotmes” sipas piktorit Everest Imeraj
“Rilindësit në sytë e të sotmes” titullohet ekspozita që është çelur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, nga piktori i artit Everest Imeraj. Artisti Imeraj ka ekspozuar punimet e tij në të cilat mbizotëron ngjyra e bardhë dhe e zezë, ndërsa ato që binin më shumë në sy ishin ndërtimi i portreteve të rilindësve me copa dërrasash.
Veçantia e ekspozitës qëndron se kësaj here kjo ekspozitë vjen me një koncept krejtësisht interesant dhe të veçantë. Koncepti kuratorial i ideuar nga Imeraj paraqit për vizituesit rilindësit e deformuar në sytë e “neomodernes” në kuadër të relativizmit ekstrem. I pyetur rreth tematikës së ekspozitës Imeraj tha se, “po bëhet shumë kohë që vihet re një mohim i dhimbshëm i zanafillës tonë. Mohohen eterit e kombit, deformohen ose keqpërdoren nga shoqëria jonë. Ky është një nga burimet e konfliktit që ka sot shoqëria shqiptare. Ndër përfaqësuesit e brezit të ri relativisht shqiptar ka dhe nga ata që thonë vafshi në djall rilindësve. Në fakt ky është një reflektim natyral që unë e kam pasqyruar në bardh dhe zi në pikturë. Ngjyrat bardh dhe zi në pikturë synojnë dhe dëshmojnë kontrastin e njeriut portret që me egërsinë dhe me rebelimin që mendon që i plas botës realisht është duke goditur veten me grushta përpara një pasqyre therse. Skulptura ime është e ndërtuar e tëra në figura gjeometrike dhe gjuhësore”. Më tej ai shton se frymëzimi i tij në realizimin e kësaj ekspozite lidhet gjithashtu edhe me zhvillimin e kohëve të fundit, ku përballen dy botë ajo e kaluar dhe ajo e sotme, të cilat në një moment bien në kundërshti me njëra-tjetrën. “Me kalimin e viteve bota po shkon drejt një zhvillimi marramendës, natyrisht që çdo gjë e re bie në kundërshti me të vjetrën, duke lënë pasojat e saj të paevitueshme në kohë, duke u nisur nga ngjarje të ndryshme, dhe e reja ulet në vendin e saj. Si artist ndikohem dhe mundohem që të jem konkret me interpretimin mes gjuhës së artit. Shpesh e kemi të vështirë të flasim me fjalë, por si një gjuhë të dytë në këtë drejtim paraqesim artin. Artisti duhet të shfrytëzojë mirë vlerat e veta, për të pasur një pamje krijuesi. Liria krijuese i vjen atij që në momentin që di të mendojë.
10 Mars 2010