E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekenbauer: Gjermania nuk ka shanse

Legjenda

Franc Bekenbauer nuk është shfaqur aspak optimist rreth shanseve që ka Gjermania për të triumfuar në Kupën e Botës 2010. Përgatitjet e skuadrës së Joakim Lëv për evenimentin në Afrikën e Jugut janë kompromentuar nga dëmtimet e kapitenit Mikael Balak, portierit Rene Adler, mbrojtësit Heiko Vesterman dhe mesfushorëve Simon Rolfes e Kristian Traesh. Pavarësisht mungesave, trajneri Lëv arriti ta riorganizonte skuadrën dhe të përmbyste golin e Bosnjë-Hercegovinës në miqësoren e së enjtes, ndërsa gjermanët fituan me rezultatin 3-1. “Pa Mikael Balak, Gjermania do ta ketë të vështirë. Skuadra jonë është dobësuar në mënyrë të dukshme”, deklaroi ai për të përditshmen “Der Tagesspiegel”. “Skuadra duhet të punojë shumë për të arritur vetëm në gjysmëfinale. Ne nuk kemi qenë asnjëherë një skuadër spektakolare, siç është për shembull Brazili”, shtoi Bekenbauer, i cili ka udhëhequr vendin e tij drejt triumfit në botëror si kapiten në vitin 1974 dhe më pas si trajner më 1990-n. Gjermania paraqitet në Afrikën e Jugut me skuadrën më të re në 76 vitet e fundit, ndërsa mosha mesatare e kontingjentit është nën 25 vjeç.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›