Bekenbauer beson te Gjermania

Legjenda gjermane e futbollit, Franc Bekenbauer beson se Italia do të jetë një rival i vështirë në gjysmëfinalet e Euro 2012, por nuk mendon se skuadra e drejtuar nga Çezare Prandeli do të jetë në gjendje të përballojë ritmin e lartë të lojës së “pancerave”.
Bekenbauer, i cili ka triumfuar në Kampionatin Europian të vitit 1972, ashtu si edhe Kupan e Botës, si futbollist dhe si trajner, ka bërë analizën e tij nga turneu i golfit, “ProAm” në bavari.
Gjermania u kualifikua me lehtësi në gjysmëfinale pasi mposhti 4-2 Greqinë, ndërsa në anën tjetër, Italia vuajti dhe fitoi 4-2 kundër Anglisë vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim pa gola.
“Një gjysmëfinale ku ke si kundërshtar Italinë është më e vështirë sesa një sfidë me Anglinë, pasi këta të fundit janë më të lehtë për t’u kaluar. Por, edhe pse italianët kanë një stil loje më të sofistikuar, ata mund të goditen më lehtë. Skuadra e Lëv duhet ti hapë punë ‘axurrëve’ gjatë gjithë 90 minutave dhe të shfrytëzojë rastet e krijuara. Në këtë pikë, mendoj se Gjermania është një ekip i përgatitur më mirë”, tha ai.
Më tej, “Kaizeri” ka nënvijëzuar faktin se “gjatë përgatitjeve për Kampionatin Europian, Italia ka qenë aq e zënë me arrestimet e lojtarëve të akuzuar për baste dhe me probleme të tjera, saqë nëse do të përballen me një ritëm të lartë loje, ata nuk do të arrinin të luanin 90 minuta”.
Gjermania dhe Italia do të ndeshen të enjten, më 28 qershor në Varshavë dhe fituesi do të luajë në finale kundër fituesit të çiftit Portugali-Spanjë.