E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekenbauer, der Kaiser që vazhdon të mbretërojë

Britanikët kanë marrë një mësim të mirë nga ndeshja e fundit me gjermanët dhe një nga më kryesorët është ai i të mos nënvleftësuarit kurrë të një kundërshtari si Gjermania dhe të mos të mbivlerësuarit e vetes. Por, edhe pse rezultati i fundit ishte i dhimbshëm për britanikët, ata dinë të vlerësojnë një fitore e një lojë dhe mbi të gjitha talentet gjermane në vite

Cili mund të ishte gjermani më i famshëm dhe më i respektuar për britanikët? Fjala është për sportistët në përgjithësi dhe jo vetëm për futbollistët, edhe pse në këtë fushë gjermanët kanë prodhuar më shumë kampionë se në çdo fushë tjetër sportive. Disa janë të mendimit se njeriu më i dashur i sportit gjerman për një britanik është Jurgen Klinsman, ndërsa të tjerë dashamirës të sporteve më pak impenjativë mendojnë se Gjermania përfaqësohet më mirë nga superkampioni i raketës, Boris Beker, apo edhe nga gjermania tjetër e tenisit, Steffi Graf. Por, ndërkohë, pak para ndeshjes së fundit mes Britanisë dhe Gjermanisë, një gazetë sportive britanike organizoi një sondazh për të nxjerrë gjermanin që gëzon popullaritetin më të vogël në Britani. E merrni dot me mend se kush është? Për t’ju dhënë një ndihmë mund të themi se është njeriu që brenda vendit dhe jashtë tij njihet veçse me emrin e tij edhe me nofkën “mbreti”, apo “der Kaiser”. Pra personazhi që ka popullaritetin më të vogël në Britani është Franz Bekenbauer. 64-vjeçari gjerman prej kohësh është një nga personat që është shprehur hapur dhe vazhdimisht kundër skuadrës britanike të futbollit dhe si pasojë kjo ka ngjallur me të drejtë indinjim te britanikët. Sa për një rifreskim të situatës, Bekenbauer ka thënë se skuadra britanike nën drejtimin e Fabio Capellos luan një lojë shqelmash të paimagjinueshme nga asnjë skuadër tjetër në botë. Bekenbauer i ka akuzuar djemtë e kombëtares britanike si “të lodhur e të djegur” dhe i ka cilësuar “budallenj”, për faktin se kanë dështuar në të gjitha aspektet kompetitive dhe sportive. Dhe si për fat të keq fjalët e Bekenbauerit dolën të vërteta dhe me siguri që tani pas ndeshjes së famshme britanikët do të mendohen mirë para se të thonë ndonjë gjë për “Kaiserin”. Sigurisht që në rrethanat e fundit konsiderata “budallenj” mund të quhet më e mira e mundshme për kombëtaren britanike. Me pak fjalë Bekenbauer nuk është shumë kritik, ai është veçse “shumë gjerman”. Por sigurisht që britanikët preferojnë të jenë ata dhe vetëm ata personat që kanë të drejtë të kritikojnë futbollistët e tyre. Megjithatë në rastin e Bekenbauerit vlerësimet e tij nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë ndjesi antibritanike, edhe pse “mbreti” dhe britanikët nuk është se kanë pasur ndonjëherë me njëri-tjetrin ndonjë marrëdhënie “rozë”. E vërteta e pakëndshme ka të bëjë më shumë me tonin me të cilën është shprehur Bekenbauer se sa me atë çfarë ka thënë dhe këtu lindin edhe keqkuptimet. Bekenbauer është bavarez dhe bavarezët edhe në Gjermani konsiderohen si “racë më vete”. Ata janë shumë punëtorë, duan që të zbaviten shumë kur vendosin ta bëjnë një gjë të tillë pas pune dhe sigurisht që kanë një sens të zhvilluar humori. Para Kupës së Botës së vitit 1990, Bekenbauer, që ishte në atë event trajneri i skuadrës kombëtare, pyetej vazhdimisht në lidhje me parashikimin e tij për atë që do të kishte ndodhur në finale. Ai vazhdimisht ngrinte supet dhe thoshte: “Të presim dhe të shohim”. Në gjermanisht ka një fjalë të vetme që e përmbledh këtë fjali dhe ajo është “Schau”. Aq e famshme u bë kjo fjalë, saqë edhe gjermanët vetë pas Kupës së Botës e përdorën për një kohë të gjatë në zhargonin e tyre. Paradoksalisht refuzimi i vazhdueshëm i Bekenbauerit për të bërë parashikime, e bëri që në sytë e të tjerëve të dukej si një profet. Në fakt gjermanët e fituan kupën në Itali ’90, pasi mundën Anglinë në gjysmëfinale dhe Argjentinën në finale. Dhe nami prej profeti i mbeti gjatë “mbretit” të futbollit, ndër të paktë futbollistë që arriti të kishte sukses edhe si trajner e madje të fitonte edhe e Kupën e Botës. Edhe sot e kësaj dite ai vazhdon që të jetë njeriu më me influencë në botën e futbollit gjerman dhe madje edhe ndërkombëtar. Ndërsa nofka “mbret” iu vu në fund të viteve ’60 për nder të forcës dhe ndikimit të jashtëzakonshëm që kishte brenda dhe jashtë fushës së gjelbër. Në kohën kur ishte kapiten i skuadrës së Gjermanisë Perëndimore, e cila fitoi Kupën e Botës së vitit 1974, Bekenbauer ishte në kulmin e tij në fushë. Ai mbahet mend si një mbrojtës shumë elegant, me një talent të jashtëzakonshëm. Dhe nofka “mbret” ishte plotësisht e goditur. Për sa u përket gjermanëve ata janë shumë të kujdesshëm të shprehin ndjenja të theksuara patriotizmi, duke e ditur se një demonstrim i ndjenjave të tilla mund të merret fare lehtë nga të tjerët si shprehje e nacionalizmit. Por në rastin e Bekenbauerit gjermanët kanë qenë gjithmonë jashtëzakonisht të dashur dhe krenarë. Sot pa asnjë dyshim Bekenbauer është figura më e rëndësishme e futbollit që ka marrë përmasat e një ikone. Gjermanët mendojnë me të drejtë se ai është një mbret që i ka dhënë shumë prestigj vendit në arenën ndërkombëtare, duke i bërë njerëzit të mbajnë kokën lart. Ai jo vetëm mori trofetë e botës si kapiten në vitin 1974, jo vetëm e drejtoi sërish skuadrën kombëtare këtë herë nga pozicioni i trajnerit në vitin 1990 duke siguruar sërish kupën, por drejtoi në një mënyrë të suksesshme botërorin që u zhvillua në Gjermani në vitin 2006, që në fakt për nga organizimi është një shembull i vërtetë i përpikmërisë dhe cilësisë. Aktualisht ai është i vetmi së bashku me brazilianin Mario Zagallo që e ka fituar Kupën e Botës edhe si lojtar, por edhe si trajner. Por, ndërkohë është i vetmi në botë që e ka fituar trofeun edhe si kapiten i skuadrës edhe si trajner. Në planetin me emrin futboll ai ka statusin e një kolosi. Dhe si shumë sportistë të mëdhenj edhe Bekenbauer ka një origjinë mjaft modeste. Ishte i biri i një punonjësi postash dhe erdhi në jetë pak pas fundit të Luftës së Dytë Botërore në një Munih të shkatërruar tërësisht nga bombardimet e aleatëve. Në vitin 1954, Gjermania Perëndimore fitoi Kupën e Botës duke rrahur në atë kohë Hungarinë, e cila kishte një kombëtare jashtëzakonisht të fortë. Për Gjermaninë, e cila dilte e dërrmuar nga lufta dhe që ishte shumë e brishtë në sytë e opinionit botëror, kjo fitore pati një ndikim jashtëzakonisht të madh, sepse ishte një arsye për gjermanët që të krenoheshin sërish me veten e kombin e tyre dhe të festonin një fitore në shkallë botërore. Për një vend të ri si Gjermania në kërkim të identitetit dhe të emrit të mirë, ky ishte një event që nuk do të harrohej kurrë. Dhe kjo fitore ishte e jashtëzakonshme për shumë arsye dhe mbi të gjitha një fitore, shija e së cilës zgjati shumë. Së pari, ajo jo vetëm krijoi, por edhe ruajti në kohë një ndjenjë optimizmi që shërbeu si motor energjish për fitore të tjera edhe në fusha të ndryshme. Kjo frymë optimizmi dhe entuziazmi “infektoi” edhe periudhën në të cilën doli në fushë Bekenbaueri, në atë kohë një 18-vjeçar me ëndrra dhe ambicie të mëdha. Ai kishte vendosur që në atë moshë të shndërrohej në një futbollist profesionist dhe për fatin e tij të mirë talenti, puna dhe fati ia bënë ëndrrën realitet.
Në qershor të vitit 1964, ai bëri debutimin e parë me Bajernin e Munihut, ndërkohë që lojën e fundit me këtë skuadër e bëri në vitin 1977. Gjatë kësaj periudhe dha kontributin e tij të madh për fitoren e tri kupave europiane. Më pas nënshkroi një kontratë me Nju Jork Kozmos dhe duke u lidhur edhe me Pelen u shndërrua në një nga anëtarët e së ashtuquajturës “borgjezi” e futbollit të Amerikës së Veriut. Me kalimin e kohës ai e transformoi veten në prototipin e lojtarit model e modern dhe mbi të gjitha universal, të lojtarit që ishte i jashtëzakonshëm në të gjitha pozicionet e fushës. Edhe sot e kësaj dite, kur dikush është universal në lojën e tij, krahasohet me Bekenbauerin. është shumë e vështirë që të gjesh një njeri me një ndikim të tillë në të gjitha fazat e jetës së tij futbollistike, duke filluar që nga momenti kur ishte lojtar e deri kur u bë trajner e më pas edhe organizator i kampionatit botëror të vitit 2006. Jashtë jetës së futbollit i mbahet mend një skandal, që në fakt nuk do të quhej i tillë në epokën në të cilën jetojmë, por për vitet ’60 ishte i tillë. Në moshën 18-vjeçare ai la me barrë të dashurën e tij dhe mbi të gjitha nuk donte që të martohej. Një vendim i tillë i shkaktoi ndalimin për të luajtur për disa kohë në kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore (në skuadrën e të rinjve). Dhjetëvjeçarë më vonë u zbulua se ai kishte sjellë në jetë një vajzë jashtë martese, por në ato vite mentaliteti i njerëzve ndaj fëmijëve jashtë martese kishte ndryshuar dhe në çdo rast Bekenbaueri, duke qenë se ishte “i dashuri” i Gjermanisë, u fal plotësisht nga fansat e tij. Për sa u përket britanikëve, nuk dihet nëse ata do ta falin për konsideratat e këqija që ai pati për djemtë e kombëtares, por një gjë është e sigurt, që pas humbjes së turpshme me Gjermaninë, britanikët të paktën do të fillojnë t’ia marrin Bekenbauerit fjalët shumë më në konsideratë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›