Vasili: Spitalet private, tani në sitë
Të gjitha institucionet shëndetësore private do të kontrollohen për standardet e shërbimeve që ato ofrojnë. Kjo është deklarata e fundit e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Në një raportim përpara Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë të zhvilluar dje, Vasili tha se Task Forca, gjatë tri javëve të para të krijimit të saj, ka kontrolluar disa institucione shëndetësore private, të cilat do të unifikohen për nga standardet. “Nuk do të ketë asnjë negocim me kushte të afrimit të shërbimit shëndetësor, të cilat duhet të ofrohen me standarde. Arsyeja është e thjeshtë, për ta kuptuar dhe qytetarët, standarde të munguara do të thotë diagnoza të gabuara dhe një shëndet që përkeqësohet”, tha Vasili. Ai deklaroi se shumica e protokolleve të mjekimit në QSUT, kanë përfunduar ndërkohë që paralel po llogariten dhe kostot. "Mbi 80 për qind e protokolleve të mjekimit janë përgatitur nga profesorati i Qendrës Spitalore Universitare, të cilat janë depozituar e po punohet me qendrën e akreditimit për t’i standardizuar në mënyrë përfundimtare”, theksoi ministri. Në komisionin e djeshëm u diskutuan edhe çështje të tjera, si ajo e fondeve që i duhen shëndetësisë shqiptare, të cilat edhe pse më të larta krahasuar me vitet e mëparshme, duhet të rishikohen për të plotësuar të gjitha nevojat e sistemit.
#