Jeta në fshatin SOS
Në fshatin SOS jetojnë 84 fëmijë, të cilët e kanë humbur përkujdesjen prindërore, pasi prindërit e kanë të pamundur t’u përgjigjen nga ana financiare fëmijëve të tyre. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet bashkëpunimit social shtetëror. “Aktualisht numri i fëmijëve që jetojnë në fshatin SOS është 84. Ata rrinë në këtë fshat deri në moshën 14-15 vjeç. Në rast se pas kësaj moshe ata bashkohen me familjet e tyre, do të thotë që largohen nga fshati SOS, por në rast se familja e tyre e ka ende të pamundur t’u përgjigjet financiarisht kërkesave të tyre, ata transferohen në komunitetet rinore SOS, të cilat janë si shtëpi rinie”, thotë Alma Guma, këshilltare advokatsie në fshatin SOS. Sipas saj, edhe komunitetet rinore monitorohen dhe kanë përkujdesje të detajuar gjatë 24 orëve, e njëjta gjë si në fshatin SOS. Akomodimi i tyre në këto ambiente bëhet i mundur vetëm për të rinjtë e moshës 14-18 vjeç. Në këto komunitete fëmijët fillojnë të aftësohen edhe më shumë për veten, duke qenë se gjatë qëndrimit në fshat, ata i përkasin një moshe relativisht të vogël. “Pasi fillojnë të jetojnë në komunitetet rinore, ata ndjekin një tjetër plan zhvillimi të detajuar, i cili i shërben secilit prej tyre për një mësim të mirë, në lidhje me rrjedhën që do të marrë jeta e tyre më vonë”, tregon Alma. Këto janë disa nga programet kryesore, por duke qenë se SOS i ka dhënë rëndësi parandalimit të braktisjes së fëmijëve, ka aktualisht tri projekte të fuqizimit të familjes, të cilat mbështesin familjet që mund të jenë në rrezik për shkaqe ekonomike apo sociale, të cilat rrjedhimisht mund të arrijnë në braktisje të fëmijëve. “Aktualisht në zbatim janë dy projekte. Ato shtrihen në Tiranë, në zonën e Saukut dhe të Don Boskos. Ndërsa një projekt tjetër që ka po të njëjtin qëllim, është shtrirë në qytetin e Shkodrës”, theksoi Guma.
#