Vuajtjet që rritën 13-vjeçaren
Ajo është vetëm 13 vjeçe. Ka zë miqësor dhe një fytyrë të ëmbël. Teksa i afrohesh për të biseduar, të mirëpret me dashamirësi si të ishte një vajzë e rritur. Ajo quhet Sidorela Xhaferraj dhe jeton prej katër vitesh në fshatin SOS. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, ajo qëndron prej vitesh larg familjes. Madje, Sindi pohon se nuk ka arritur të provojë ndjesitë e vërteta që mund të të falë një nënë apo baba biologjik. Që në moshë të vogël, ajo është dërguar në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. Shkak kanë qenë kushtet e vështira ekonomike, në të cilat jetojnë mamaja dhe gjyshja e saj.
Ajo nuk ka mundur ta njohë babain, për shkak se ai është larguar nga shtëpia kur Sindi, tri motrat dhe vëllai kanë qenë shumë të vegjël. Ata janë pesë fëmijë, pesë drita syri për nënën e tyre, e cila i dha jetën, por që sot vuan faktin e të mospasurit pranë fëmijët. është e dhimbshme kur dëgjon një nënë, së cilës tek i dridhet zëri fajëson veten që nuk mundi të jetë e përgjegjshme për të vegjlit e saj. E megjithatë, zemra e nënës përsëri preket, por kësaj radhe duke buzëqeshur dhe duke uruar që fëmijët e saj do të bëhen të fortë dhe dikushi në jetë, sepse dhimbja i ka mësuar t’ia dalin të vetëm. Ajo pranon se pavarësisht se Zoti lejoi që ata të ndaheshin, ndihet e lumtur që solli në jetë pesë vogëlushë, pesë ndjesitë e vetme që ndriçuan për herë të parë jetën e saj. Ajo rrëfen se bashkëshorti e la në moshë të re, duke harruar se kishte fëmijë, të cilët kishin nevojë për kushte ekonomike që të mbijetonin, por mbi të gjitha për mbështetje morale. Që nga ai moment fëmijët, mamaja dhe gjyshja e tyre mbetën vetëm. Vetmi skëterre që i ka munduar në shpirt prej vitesh, por që po vazhdon t’i “vrasë” ende edhe sot. Mamaja e fëmijëve jeton në qytetin e Vlorës. Distancë jo e largët për të kaluar një fundjavë çlodhëse, por pa kufij kur bëhet fjalë për histori të tilla njerëzore. Kur do të përfundojë ankthi, pyesin njëri-tjetrin?!... Sindi thotë se kjo mund të ndodhë vetëm si pasojë e një mrekullie nga dora e Zotit.
Sytë e saj shkëlqenin dhe rrezatonin mirësi, por hera-herës fytyra e saj merrte një hije tjetër, aq sa dukej sikur donte të thoshte shumë më shumë nga ato që shprehte me fjalë. Thellë brenda vetes, ajo e dinte që nuk ishte si të tjerët. E megjithatë ajo është ende e vogël. Ndoshta nevojën e të mos pasurit pranë nënën, do ta ndiejë kur të bëhet një vajzë e madhe. Sot ajo është e lumtur sepse jeton në fshatin SOS, e shoqëruar nga fëmijë të panumërt. Ata jetojnë, ushqehen, mësojnë dhe luajnë së bashku. Tashmë jeta e tyre është ndërtuar pikërisht në këto ambiente që ndodhen në zonën e Saukut. Ndoshta kjo do të zgjasë deri kur distanca mes tyre të mos ekzistojë më. “Panoramë” e dhimbshme, por e vërtetë. Kjo është zanafilla e historisë së familjes Xhaferraj, e cila vazhdon të endet “rrugëve”, për sa kohë “trashëgimtarët” e tyre qëndrojnë larg.
"Kam ardhur në fshatin SOS që në moshën 9-vjeçare, kur kam qenë në klasë të dytë, ndërsa tani jam 13 vjeç dhe po ndjek klasën e gjashtë. U mësova të jetoj në këto ambiente për vite me radhë, aq sa tani më duket sikur kam edhe unë një familje të vërtetë”, shprehet Sindi. Ajo është shumë e brishtë, e sjellshme, e bukur si një princeshë përrallash. “Unë e dua shumë familjen time biologjike dhe më merr shumë malli për ta. Sa herë që shkoj atje, kënaqem shumë, por nuk mund ta krahasoj asnjëherë me këtë që kaloj në fshat. Atje jam mësuar të shkoj zakonisht për pushimet e dimrit, për Vitin e Ri dhe gjatë sezonit veror. Ndërsa kjo ku unë jetoj aktualisht është shtëpia ime e vërtetë, të cilën nuk do ta ndërroja me asgjë në botë”, rrëfen vajza 13-vjeçare. Ajo tregon se është nxënëse e shkëlqyer në shkollë. Por këtë, më së shumti, na e vërteton njëra prej nënave SOS ose tezja, siç e thërret Sindi. Lumturi Tole shprehet e lumtur që ka në kujdestari Sidorelën, tri motrat dhe vëllain e saj. “Aktualisht kam në mbikëqyrje shtatë fëmijë. Një nga këto fëmijë është edhe Sindi. Ndihem krenare për to, sepse janë fëmijë të sjellshëm dhe tepër të zgjuar. Kam besim që një ditë do të dinë të bëhen dikushi për veten, për ne, por mbi të gjitha për nënën e tyre biologjike”, shprehet zonja Tole.
Teksa e pyet Sindin për lëndën e saj të preferuar, ajo pa hezitim thotë se i pëlqen shumë Gjuha Shqipe. Ajo flet rrjedhshëm, me një zë të ëmbël dhe me sy të qeshur që të bëjnë menjëherë për vete. është e bukur, por mbi të gjitha inteligjente. Sindi, edhe pse ka kaluar një sërë peripecish, duket e fortë, por sidomos me shumë ëndrra dhe shpresa për të ardhmen, të cilën e sheh të suksesshme. Ajo jeton pa prindërit, por nuk i ka humbur shpresat se një ditë edhe ajo do të jetë e lumtur. 13-vjeçarja është vajzë me shpirt të madh. Ndoshta kjo vjen sepse ka vuajtur, kur fëmijët e tjerë luanin dhe shëtisnin me prindërit e tyre. Ajo është e bindur që një ditë do të bëhet një avokate dhe biznesmene e zonja. Kur e pyet se pse dëshiron të bëhet avokate, ajo thotë se dëshiron të vendosë drejtësi në një realitet të padrejtë. “Dua të ndihmoj të dobëtit përballë të fortëve, të cilët duan gjithçka, edhe pse e kërkojnë atë në mënyrë të padrejtë”, thotë Sindi. Po biznesmene pse? Sidorela: “Do doja të bëhesha biznesmene sepse duke pasur para, do të kem mundësi t’i ndihmoj të tjerët, por sidomos ata që jetojnë në kushte të vështira si unë. Kur të kem krijuar shuma të mëdha parash, do bëj çmos të ndërtoj një fshat si ky ku po jetoj aktualisht, për t’i bërë të ndihen mirë edhe ata fëmijë që nuk kanë mundësi të jetojnë si duhet, për shkak se i kanë lënë jetimë apo sepse nuk mund t’i mbajnë dot, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Dua që të gjithë fëmijët në botë të ndihen njësoj, pa dallime. Unë jam e gatshme ta bëj këtë...
E vogël, por e guximshme. Këto fjalë duken të pabesueshme, kur mendon se mund të kenë dalë nga goja e saj, por kjo është e vërteta. Këto janë fjalët e një vajze që premton se, edhe pse ka vuajtur, nuk do lejojë të tjerët të vuajnë si ajo…
#