E Diel, 1 Nëntor 2026

Posta i kërkon bashkisë të bëjë sistemin e adresave

Fier

Mungesa e sistemit të adresave në qytetin e Fierit ka vështirësuar punën e filialit të Postës Shqiptare. Burime zyrtare të kësaj të fundit bëjnë të ditur se si pasojë e mungesës së sistemit të adresave hasen vështirësi serioze në shërbimin postar. Në këto kushte, filiali i Postës Shqiptare kërkon prej Bashkisë së Fierit, përfundimin sa më shpejt të sistemit të adresave. Përgjegjësja e filialit të Postës Shqiptare në Fier shprehet se mungesa e adresave ka krijuar një konfuzion të vërtetë te shpërndarësit e postës. Rrugët pa emra dhe pallatet pa numra në të gjithë territorin e qytetit shpesh lënë për disa ditë në pritje dhe në kërkim qytetarët për postën e tyre.

Nga ana tjetër, në Bashkinë e Fierit e pranojnë se ka vonesa në vendosjen e sistemit të adresave dhe sqarojnë se këto vonesa janë shkaktuar nga Ministria e Brendshme.

Ndërkohë, filiali i postës në Fier ka krijuar një lehtësi në shërbimin e saj për bizneset, duke ofruar edhe pagesën e të gjitha detyrimeve tatimore në zyrat e saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›