Mungon interneti, radhë për certifikata në Fier
Mungesa e internetit ka paralizuar punën e zyrave të gjendjes civile të Fierit. Gjatë gjithë ditës së hënë, nga 4 rajonet e qytetit të Fierit janë shpërndarë vetëm 20 certifikata, duke lënë në radhë dhjetëra qytetarë, të cilët nuk kanë mundur të marrin dokumentet e kërkuara. Sipas punonjëses së rajonit nr.1 të Fierit, gjatë gjithë mëngjesit të së hënës nuk ka pasur sinjal interneti, ndërsa gjatë mesditës sinjali ka qenë i dobët, çka ka ngadalësuar procesin. Nxjerrja e një certifikate kërkonte minimalisht 30 minuta pritje për të dalë në sistem dhe më pas t’i dorëzohej qytetarit. Kjo praktikë është kthyer tashmë në një shqetësim të madh për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nisur të kërkojnë certifikatat e plotësuara me dorë, por tashmë një shërbim i tillë nuk aplikohet më. Kjo nuk është hera e parë që në zyrat e gjendjes civile krijohet një kaos i vërtetë si pasojë e mungesës së internetit.
#