E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi konfirmon: “Milani me Bekam e Kaka në Tiranë”



Bekam, Kaka, Gatuzo, Pato, Ronaldinjo, Shevçenko, Inzagi, Zambrota dhe pjesa tjetër e kostelacionit të yjeve të Milanit do të jenë sërish në Shqipëri, në një miqësore që do të luhet, më 12 maj në “Qemal Stafa” në edicionin e dytë të trofeut “Taçi Oil Albania Reads”, kësaj radhe jo kundër Tiranës, por një seleksioni të përbërë nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, apo Kombëtarja “B”, siç mund të quhet ajo. Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, në orën 19.00. “Ndjehem personalisht shumë i privilegjuar që kam arritur t’ju krijoj mundësinë sportdashësve shqiptarë, që për herë të dytë, brenda një harku kohor prej më pak se një viti, të ndjekin në ‘Qemal Stafa’ këtë ekip legjendar, jo vetëm të futbollit Italian. Është vendosur që ndeshja, e cila organizohet në kuadër të edicionit të dytë të trofeut “Taçi Oil Albania Reads”, këtë herë të përballë Milanin me skuadrën tonë përfaqësuese. E bëmë këtë përzgjedhje me dëshirën e madhe për të shpalosur vlerat e ekipit tonë kombëtar, ngjyrat e së cilës përfaqësojnë të gjithë sportdashësit tanë në Shqipëri dhe jashtë saj”, - tha gjatë konferencës së posaçme për shtyp, presidenti i kompanisë lider të karburanteve në Shqipëri, Rezart Taçi. Në ndeshjen e parë erdhën në Shqipëri emra të tillë si Ronaldinjo, Maldini, Shevçenko, Emerson, Dida, Pirlo, Inzagi, etj. “Këtë vit do të marrin pjesë për në transfertën në Tiranë bashkë me të tjerët edhe David Bekam, Rikardo Kaka, Xhanluka Zambrota, Xhenaro Gatuzo e Pato, të cilët nuk ishin prezent vitin e kaluar në edicionin e parë të ‘Taçi Oil Albania Reads”, - theksoi Rezart Taçi. Milani do të ndeshet me Juventusin, më 10 maj, një ndeshje kjo e vlefshme për Serinë A të kampionatit italian, e pas dy ditësh do të zbarkojë në Tiranë. Në ndeshjen e fundit të Milanit në Shqipëri (14 tetor 2008) kuqezinjtë e Karlo Ançelotit humbën 2-1 me Tiranën (gola të Xhafës e Muzakës për Tiranën e Ronaldinjos për Milanin). Trajneri që do të drejtojë Kombëtaren “B” pritet të jëtë tekniku i ardhshëm i Shqipërisë. Përzgjedhja e lojtarëve do të bëhet nga FSHF-ja. Kristi Vangjeli e Klodian Duro mund të jenë të gatshëm nga legjionarët pasi kampionati grek (ka mbaruar) dhe ai qipriot (përfundon më 9 maj), duke mos pasur asnjë pengesë nga ekipet. Në fund të ndeshjes do të zhvillohet një ceremoni çmimesh me dorëzimin e një çeku nga “Taçi Oil” dhe Milani në shumën prej 30 mijë euro Unicef-it për projektin “Albania Reads” dhe 50 mijë euro Fondacionit të Femijëve Shqiptarë “Domenicko Scaglione”. “Ndeshja do të jetë një event i madh sportiv dhe kulturor dhe përfaqëson tashmë një urë lidhje të drejtpërdrejtë të Shqipërisë me Europën”, - tha Taçi për mediat. Sipas Taçit, ndeshja do të ketë si qëllim final mbledhjen e fondeve për ndërtimin e librarive të reja dhe moderne në të gjithë Shqipërinë në mënyrë që të zhvillojë nëpërmjet kulturës përgatitjen e të rinjve në sfidat e së ardhmes dhe si mbështetje e fondacionit për mbrojtjen e fëmijëve shqiptarë. Në fund të ndeshjes do të organizohet një darkë ku do të organizohet një ankand bamirësie me fanellat e ndeshjes të sigluara nga të gjithë lojtarët e Milanit dhe të Kombëtares Shqiptare në të cilën do të marrë pjesë këtë vit administratori i deleguar i “AC Milan”, Adriano Galliani. Skuadra Kuq e Zi është klubi që ka fituar në mënyrë absolute numrin më të madh të trofeve ndërkombëtare. Që nga 1899 viti i krijimit, Milan ka fituar 17 kampionate,7 Kupa kampionesh, 3 Kupa Interkontinentale, 1 Kupe bote per klube, 4 Superkupa Europe, 5 Superkupa te Liges, 5 Kupa te Italise, 2 Kupa te Kupave. Shitja e biletave do të fillojë në datën 1 Maj 2009.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›