Pianistja italiane Gloria Kampaner çel “Koncertet e Majit”
Një recital për piano i artistes italiane Gloria Kampaner, nën dirigjimin e maestro Zhani Cikos, do të çelë dhe ciklin e titulluar “Koncertet e Majit”, që zhvillohet nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Tiranë. Për të gjithë ata që nuk e njohin, pianistja Kampaner ka lindur në Jezolo (Venezia) në vitin 1986. Ajo fillon studimet e pianos që në moshën 4-vjeçare nën drejtimin e prof. Daniela Vidali. Menjëherë afirmohet në majat më të larta të shumë Konkurseve pianistike kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë më shumë se 20 çmime të para absolute dhe duke dhënë koncerte në të gjithë Italinë. Në moshën 12 vjeçare debuton si soliste me Orkestrën e Venetos në Teatrin e qytetit të saj të lindjes. Gloria ka perfeksionuar formimin e saj muzikor pranë docentëve dhe muzikantëve me famë ndërkombëtare si J. Suann, S. Perticaroli, B. Lupo, A. Jasinskij, G. Gruzman, M. Tirimo, D. Bashkirov, duke ndjekur seminare dhe masterklase në Itali apo jashtë saj, pranë institucioneve prestigjoze si Mozarteum në Salsburg, në Akademinë e Imolës, Hertford College në Oxford dhe Konservatorin e Svicrës Italiane në Lugano. Aktualisht po perfeksionohet me Konstantin Bogino-n dhe është regjistruar në Konservatorin e Muzikës në Karlsruhe në Gjermani, nën drejtimin e Fany Solter. Ndërmjet shumë Çmimeve dhe vlerësimeve, në vitin 2008 ka fituar Çmimin e III-të absolut në Konkursin Pianistik Ndërkombëtar “Çmimi Shuman”, në Lamporeçhio (PT) ku mori dhe çmimin e publikut, çmimin e dytë absolut në Edicionin e 13-të të Turneut Ndërkombëtar të Muzikës, si dhe triumfon në Konkursin e Società Umanitaria di Milano, duke regjistruar edhe një Cd për “Maister Musica Bern”. Ajo ka zhvilluar shumë koncerte në Europë, Japoni, Turqi, Kazakistan, Izrael, Amerikën e Jugut, duke marrë vlerësimet më të larta të publikut dhe kritikës, ndërkohë që televizione si Rai, Sky Classica, etj kanë transmetuar shfaqjet.
EDICIONI IV
Izraeli çel Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe bashkëkohor në Durrës
Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern, që nis nesër deri në 6 maj në Durrës, ka sjellë artistë nga Izraeli, Hungaria, Kanadaja, Italia, Britania e Madhe, Shqipëria, Greqia, etj, të cilët do të konkurojnë me shfaqjet e tyre në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu". Drejtori i Festivalit, Gjergj Prevazi tha se 9 artistët izraelitë të "Kolben Dance Company" do të hapin mbrëmjen e së enjtes edicionin e katërt të "International Modern and Contemporary Dance Festival". Të mbërritur dje pasdite në qytetin bregdetar, trupat po njihen me skenën, ku do të performojnë për herë të parë. Kjo është trupa e parë artistike që vjen në vendin tonë nga Izraeli, dhe pas prezantimit në Durrës, më 2 maj ata do të jenë edhe në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë, me spektaklin. Sipas drejtorit Prevazi, gjeografia e festivalit të sivjetshëm parashikon zgjerimin e saj me trupën hungareze “Orpheud Marathon”.
30 Prill 2009