E Diel, 1 Nëntor 2026

Josa: “Vllaznia nuk ka frikë nga Tirana”

"Unë jam ndeshur edhe herë të tjera kundër Tiranës, kur kam drejtuar më parë Lushnjën, Skënderbeun dhe nuk kam asnjë kompleks. Edhe si trajner i Vllaznisë jam ndeshur tre herë kundër tyre. Unë do të bëj punën time", - tha trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa në një komunikim direkt për radion e vetme sportive shqiptare "Radio Sport" në emisionin e Agron Kajës, "Emocione dhe gola, minutë pas minute", menjëherë pas fitores 3-0 me Besëlidhjen.
REVANSH - Në fazën e parë shkodranët barazuan në Lezhë me Besëlidhjen (2-2), por në "Loro Borici" shkodranët shpërthyen në një fitore të pastër 3-0 përballë më shumë se 4 mijë shikuesve, pjesa më e madhe e të cilëve hynë pa biletë pas urdhërit të presidentit Fushaj për të hapur dyert.
TRI PIKË - "Kishim jo pak mungesa në formacion, por nuk dua të justifikohem më këtë. Nuk e filluam mirë lojën", - tha Josa. Vllaznia edhe pse vuajti arriti të shënojë dy gola në pesë minutat e fundit të 45 minutave të para, kur më parë veterani Vioresin Sinani (40') dhe më pas talenti Xhevair Sukaj (43'), e mbyllën pjesën e parë me avantazhin 2-0. Sukaj në limitin e kësaj pjese goditi edhe shtyllën pingule.
SINANIGOL- Xhevair Sukaj shfaqi shumë nga talenti i tij, por ishte Vioresin Sinani, ai që arriti të fitojë dhe të shndërrojë në gol një penallti të akorduar pa asnjë hezitim nga gjyqtari Albano Janku në minutën e 83-të për të mbyllur edhe serinë e golave. Me dy golat e shënuar në Shkodër, Sinani u ngjit në kuotën e 10 golave, po aq sa Marius Ngjela i Skënderbeut. "Tri pikët janë edhe ato që kërkonim nga ky takim", - shtoi Josa.
ANTI-TIRANA – Në javën e 17-të, njëherësh edhe java e fundit për vitin 2007 për Kategorinë Superiore, Vllaznia do të presë në shtëpi Tiranën, me të cilën ndau nga një pikë në kryeqytet pas barazimit pa gola 0-0. "Tirana është në rritje dhe ashtu si ne (Vllaznia) ka pretendime të mëdha. Unë do të bëj punën time dhe sigurisht që dua të marrë rezultatin maksimal", - përfundoi tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa.
Vllaznia-Besëlidhja 3-0
22 dhjetor, Shkodër
Gjyqtarë: A.Janku, A.Mali-F.Elezi
Bilanci midis dy ekipeve: 45 ndeshje; 28 fitore Vllaznia, 13 barazime, 4 fitore Besëlidhja. Golat: 106-37
Faza e parë, Java 5, 26 shtator
Besëlidhja-Vllaznia 2-2
Golat: Klevis Roshi 58pen, Dritan Smajli 61; Suad Lici 45pen,
Xhevair Sukaj 67
Faza e dyte, Java 16, 22 dhjetor
Vllaznia-Besëlidhja 3-0
Golat: Sinani 40, Sukaj 43, Sinani 83' pen

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›