E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham i befasuar nga Kapelo

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Devid Bekham ka bërë deklaratën e parë publike rreth dorëheqjes së trajnerit Fabio Kapelo nga stoli i Kombëtares angleze.
“Natyrisht që u çudita, pasi kam punuar për disa vite me Fabion dhe për më tepër që Euro 2012 është fare pranë. Është e trishtueshme dhe gjithçka ndodhi në një periudhë kritike për Anglinë. Ai e ka marrë vendimin për arsyet e tij. E respektoj shumë si trajner dhe si njeri dhe I uroj gjithë të mirat”
Puna me ulje dhe ngritje e Kapelos në krye të përfaqësueses së “Tre Luanëve” përfundoi më 9 shkurt, kur ai vendosi të jepte dorëheqjen, pas një takimi me krerët e federatës angleze. Gjithçka lidhej me vendimin për ti hequr Xhon Territ shiritin e kapitenit, pas skandalit për ofendime raciste ndaj mbrojtësit të QPR-së, Anton Ferdinand.
Kur u pyet rreth faktit nëse vendimi për çështje të tilla duhet të merret nga federate apo trajneri, Bekham nuk kishte dyshime.
“Vendime të tilla i takojnë trajnerit. Mendoj se kështu duhet të ndodhë gjithmonë. Në vazhdim, jam i sigurt se kapiteni i ri i përfaqësueses angleze do të zgjidhet nga trajneri, pavarësisht se cili do të jetë në krye të ekipit”.
Federata angleze ka bërë të ditur se do të përgatisë një listë përfundimtare me kandidatët për kombëtaren, ndërsa në “pole” mbetet gjithmonë tekniku I Totenhemit, Harri Redknap. Aktualisht përfaqësuesja I është besuar trajnerit të U-21 dhe skuadrës olimpike, Stuart Pirs.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›