E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, prokuroria e gjykata në Itali për dëshmitarët

Procesi

Gjykata e Krimeve të Rënda ka saktësuar dje datat e pyetjes së dëshmitarëve të thirrur nga organi i akuzës në shtetin italian, në kuadër të procesit gjyqësor për zhdukjen e Remzi Hoxhës, rreth 15 vjet më parë në Tiranë. Trupi gjykues dhe prokurori i çështjes së bashku me avokatët do të udhëtojnë në Itali, ku në datat 23 qershor, 25 qershor dhe më 8 korrik do të marrin në pyetje dëshmitarët që mund ta kenë parë për herë të fundit Remzi Hoxhën. Ndërkohë, në seancën e djeshme u diskutua edhe për mënyrën e marrjes në pyetje të Avdyl Loshajt. Nga Kosova ende nuk ka mbërritur asnjë informacion. Sipas bisedës që ka zhvilluar prokuroria me Loshajn, ai ka pranuar të merret në pyetje në vendlindje, në Deçan. “Jam i gatshëm të pyetem në Kosovë, pasi në Shqipëri më rrezikohet jeta”, mësohet të ketë deklaruar Loshaj nga Holanda, gjatë bisedës që ka zhvilluar me prokurorët e çështjes. Mësohet se në datën 2 qershor, Ministria e Drejtësisë ka nisur drejt Kosovës letërporosinë, e cila i hap rrugë marrjes në pyetje të dëshmitarit Avdyl Loshaj. Ky i fundit ndodhet në Holandë dhe me pëlqimin e tij ka zgjedhur Kosovën për t’u pyetur. Ndërkohë, shteti italian ka caktuar datat për pyetjen e tre dëshmitarëve të tjerë. Më 8 korrik 2010 do të pyetet në Romë dëshmitari Martin Miraj, më 23 qershor Riza Shehu në Trevizo dhe po në të njëjtën ditë Flutura dhe Gjok Hasanaj do të merren në pyetje në Pistoia. Këta dëshmitarë mendohet se kanë pasur dijeni për fatin e Remzi Hoxhës, ndërsa Avdyl Loshaj u mbijetoi për mrekulli torturave të SHIK-ut në vitin 1995, pas arratisjes nga komisariati i policisë. Dy seanca më parë, gjykata ka deklaruar se Loshaj ka “humbur gjurmët” në Holandë, pasi nuk ishte gjetur në vendstrehimet e tij. Sipas një përgjigjeje zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Holandës, ekzekutimi i letërporosisë për pyetjen e Loshajt nuk ishte ekzekutuar, për shkak të mosgjetjes së vendndodhjes së tij. Prokurori i çështjes e garantoi gjykatën për saktësimin e adresës së dëshmitarit, ndërsa avokatët kërkuan mosmarrjen e dëshmisë së Loshajt, pasi, sipas tyre, kohëzgjatja e marrjes së saj po mbante peng procesin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›