E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Bleonës, automjeti i dyshimtë lëvizi drejt Kosovës

Kukës Gjyshi Zenel Mata tha se nuk kanë marrë asnjë telefonatë dhe në fshat qarkullojnë shumë thashetheme

Po afron një muaj dhe Policia e Shtetit, si dhe prokuroria ende nuk kanë një pistë të saktë të zhdukjes së vajzës së vogël nga Zapodi, Bleona Mata, ndërsa vazhdojnë të hetohen detajet e nxjerra nga dëshmitarët e zonës. Automjeti tip fuoristradë, që dyshohet të ketë lëvizur me shpejtësi në orarin e zhdukjes së Bleonës, dyshohet të ketë përfunduar në shtetin e Kosovës. Të paktën kështu kanë deklaruar banorët e zonës gjatë dëshmive të dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore. Në fshatin Zapod, por jo vetëm atje, qarkullojnë më shumë hamendje dhe thashetheme sesa informacione nga mund të hidhet pak dritë në të vërtetën për humbjen e 6-vjeçares. Madje, edhe vetë policia, duke u mbështetur pikërisht në këto hamendje, ka marrë në pyetje rreth 50 persona të ndryshëm, nga fshati dhe farefisi, me qëllim që të mësojnë ndonjë të dhënë dritëhedhëse, por më kot. Edhe ata persona për të cilët thuhej se mund të ishin implikuar janë marrë në pyetje, ndonjëherë edhe ndaluar dhe më pas janë lënë të lirë. Në pamje të parë duket se vetëm policia është e interesuar të gjejë Bleonën, të gjithë të tjerët thjesht mbrohen me faktin se nuk dinë asgjë për humbjen e saj. Kështu ka ndodhur me vajzën e Zenelit, Alketën, halla e Bleonës, të cilën policia lokale, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e kanë thirrur dhe marrë në pyetje intensivisht për të dëshmuar mbi atë se si humbi aq papritur vajza e vogël dhe pse ajo, së bashku me shoqet e veta e morën me vete në mal. Alibia e Aketës nuk i ka bindur as vetë prindërit e viktimës dhe gati asnjë prej njerëzve të familjes Mata. Pothuajse të gjithë ngrenë pyetjen se përse shoqet e Alketës e thirrën Bleonën, ndoshta e mashtruan, “hajde se do të mbledhim manaferra”. Ku janë manaferrat e Bleonës, tha një ditë gjyshja, Saidja. Që ditën e parë ata kanë hedhur dyshime te vajzat, por policia e ka marrë çështjen larg e larg, të krehim një herë bjeshkët, e më pas të shohim se mos është rrëmbyer nga dikush. Dhe pas lodhjes nëpër bjeshkë duket se hetimet janë “lodhur” edhe në pistën e rrëmbimit.

Gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, tha për gazetën “Shqip” se që prej shumë ditësh vazhdon ankthi i mungesës së vajzës dhe se asnjë lajm pozitiv deri tani nuk ka rreth vendndodhjes së saj. “Gjithë këto ditë që jetojmë në ankth, askush nuk di asgjë, që të gjithë ngrenë supet, si na humbi kështu, edhe vajzat thonë të njëjtën gjë, nuk e dimë se si humbi”, tha Zeneli duke përshkruar shqetësimet e tij dhe të familjes për Bleonën 6 vjeçe të humbur me datë 22 maj 2010. Në fshat media qarkullojnë “fakte”, sipas të cilave familja Mata ka pasur disa telefonata kohët e fundit, ku zëri nga ana tjetër e telefonit ka thënë se Bleona është e rrëmbyer. Që javën e parë të humbjes së vajzës policia ka shoqëruar edhe babanë e Bleonës për ta marrë në pyetje lidhur me një telefonatë që ai vetë kishte thënë se e ka marrë nga dikush. Por më pas edhe ai e ka mohuar këtë gjë. Efektivë të policisë, përfshi drejtues të lartë, besojnë se telefonata e javës së parë mund të ketë ndodhur për të frikësuar babanë e Bleonës që të mos bashkëpunonte me policinë, por në ditët e fundit, ku çështja Bleona është bërë kaq e njohur, si zor që të besohet që dikush të mund të telefonojë në mënyrë anonime për këtë. Gjyshi i Bleonës, i pyetur për një telefonatë të mundshme nga jashtë Shqipërisë ku mund t’i ishin kumtuar fjalë për Bleonën, tha se të gjitha kanë qenë trillime. “Asnjë telefonatë nga jashtë nuk kam marrë dhe aq më pak të më ketë përmendur dikush Bleonën, janë thjesht hamendësime”, tha Zeneli. Në fshat, pas kaq shumë ditësh kërkimi pa rezultat, njerëzit hamendësojnë sikur Bleonën duhet ta ketë bartur një autoveturë e dyshimtë e asaj dite, dikush tjetër thotë se një person i panjohur mund ta ketë çuar në kufirin tokësor drejt Maqedonisë apo Kosovës, të tjerë thonë se vajza mund të jetë brenda vendit në pritje të ndonjë trafikimi të mundshëm... Në fshat dëgjon gjithçka, por asnjë prej banorëve nuk thotë se vajza humbi në mal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›