E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Kastrati rikthehet në fushë javën tjetër

Bekim Kastrati më në fund do të rikthehet në fushë. Pas një pauze prej më se 6 muajsh, pas një lëndimi, sulmuesi pejan, që ka zhvilluar një ndeshje me kombëtaren shqiptare, do të rikthehet për të ndihmuar skuadrën e Eintracht Braunschweig në luftën për të mbijetuar në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Mediumi gjerman në internet "Newsclick.de" njofton se pas operacionit shqiptari ka rifilluar stërvitjen dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e javës së ardhshme.
26-vjecari Kastrati kishte pësuar një dëmtim të rëndë më 1 tetor të vitit të kaluar në ndeshjen që skuadra e tij e kishte humbur Essen. Më parë ai kishte zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje me skuadrën tek e cila ishte transferuar në fillim të sezonit dhe për të cilën kishte shënuar vetëm një gol në Bundesliga 2.
Skuadra e Kastratit renditet në pozitën e fundit të Bundesliga 2 me vetëm 16 pikë në 26 ndeshje dhe është kandidati kryesor për rënie nga kategoria.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›