Haxhi Krasniqi, sot lufta e 15-të në ringun profesionist

Boksieri kosovar Haxhi Krasniqi, do të zhvillojë të shtunën në "Olympiahalle" të Mynhenit përballjen e tij të 15-të në ringun profesionist. 19-vjecari që lufton në ringun profesionist që nga viti 2005, do të përballet me turkun Engin Erdogan, në një luftë që do të zgjasë gjashtë runda e vlefshme për kategorinë gjysmë të rëndë.
Kundërshtari i tij 29-vjecar ka një bilanc prej 9 fitoresh dhe dy humbjeve në ringun profesionist. Përballja Krasniqi-Erdogan do të jetë një nga paramecet e duelit mes gjermanit Henry Maske dhe amerikanit Virgil Hill, një mec që parashikohet të përcillet nga më se 20 milionë teleshikues.
Për Haxhi Krasniqin dueli i së shtunës do të jetë një përgatitje për përballjen më të rëndësishme në karrierën e tij që do të zhvillojë më 12 maj përballë gjermanit Sebastian Wille, e vlefshme për titullin botëror të juniorëve në versionin WBC për peshën gjysmë të rëndë.
Përvec Krasniqit në "Olympiahalle" të shtunën do të luftojë edhe një tjetër boksier shqiptar. Bëhet fjalë për shkodranin Artur Drinaj, i cili në vitin 2003 kishte zhvilluar një mec profesionist në Prishtinë. 33-vjecari Drinaj që ka fituar vetëm 8 nga 23 duelet e tij në boksin profesionist konsiderohet si autsajder përballë gjermanit Oliver Guettel që ka fituar shtatë duelet në ringun profesionist.