Bektashinjtë e Gjirokastrës kërkojnë prona në Ksamil
KSAMIL - Komuna e Ksamilit kërkon ndihmën e shtetit ndaj tentativës për marrjen e tokave në bregdet nga Teqeja e Zallit në Gjirokastër. Një person, në emër të klerit bektashian, kërkoi të largonte të enjten kioskat e ngritura me leje nga komuna. Këshilli i komunës, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, me praninë dhe të banorëve të zonës, denoncoi publikisht pretendimin për të marrë në Ksamil tokën përgjatë anës së detit, në një sipërfaqe prej 160.5 hektarësh. Të parët që dhanë alarmin ishin pronarët e kioskave, të cilët ishin hasur me pretendimin e ngritur nga një person i ardhur në Ksamil, i cili ka folur në emër të Teqesë. Sipas pjesëmarrësve në mbledhjen e Këshillit, pretendimet e palës përfaqësuese të Teqesë së Zallit në Gjirokastër janë cilësuar si të falsifikuara. Kryekomunari Vesel Koçia tha se veprime të tilla tentojnë të anashkalojnë qeverisjen vendore, ndërkohë që pretendimet pronësore që vijnë në emër të Teqesë së Zallit janë objekt i një procesi të gjatë gjyqësor, i cili nuk ka dhënë ende vendimin. Një peticion me 50 firma i është drejtuar policisë së Sarandës. Tre vjet më parë i është kërkuar ndihmë dhe drejtuesve të lartë të shtetit për pretendimet e Teqesë, por prej asaj kohe nuk është marrë përgjigje. sh.d