E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas atentatit, gjyqtari Ardian Nuni emërohet në dosjen "Gërdeci"

 

TIRANE - Ardian Nuni do të jetë anëtari më i ri i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, para të cilit do të ulet si i pandehur, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nuni është zgjedhur pak ditë më parë si anëtar i pesëshes gjykuese të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Lartë. Gjyqtari Ardian Nuni do të jetë në vendin e gjyqtares Irma Bala, e cila u largua nga shqyrtimi i kësaj çështje për arsye shëndetësore. Lajmi i caktimit të Nunit në trupën që do të gjykojë të vetmin të akuzuar për shpërthimin e Gërdecit në Gjykatën e Lartë u konfirmua dje nga burime zyrtare të kësaj gjykate. Sipas këtyre burimeve, pak ditë më parë gjyqtarja Irma Bala kishte paraqitur një kërkesë ku kërkonte zëvendësimin e saj nga trupa gjykuese e dosjes "Gërdeci". Burimet pohuan se shkak i largimit ishin pamundësia e pjesëmarrjes në gjykim për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të gjyqtares. Ndërkohë që menjëherë pas pranimit të kërkesës së gjyqtares Bala për mosvazhdimin e qëndrimit në çështje nga kryetarja e gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kancelaria zhvilloi shortin për gjyqtarin që do të vihej në vendin e saj. Mësohet se nga shorti u përjashtuan të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët janë "konsumuar" me çështjen për shkak të marrjes pjesë në shqyrtimin e kërkesave në lidhje me dosjen "Gërdeci". Sipas burimeve shorti përzgjodhi gjyqtarin Ardian Nuni, si togën e zezë që do t'i bashkohet trupës gjykuese të "Gërdecit". Seanca e radhës ku do të "testohet" nëse gjyqtari Nuni do të pranohet apo jo nga palët në proces, është në 6 korrik. Në këtë datë pritet të nisë gjykimi për ish-ministrin Mediu, si i vetmi person i akuzuar për "Gërdecin" në këtë gjykatë. Vendimi për veçimin e dosjes në ngarkim të tij nga të pandehurit e tjerë u mor nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në seancën e 22 majit. Sipas atij vendimi, Gjykata e Lartë ishte kompetente për të gjykuar vetëm ish-ministrin Mediu, ndërsa të pandehurit e tjerë dhe paditë civile u dërguan për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Gjyqtari Ardian Nuni pak muaj më parë u sulmua nga persona të armatosur në afërsi të banesës së tij tek "Komuna e Parisit" në kryeqytet. Atentati është ende i pazbardhur, ndërsa po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas sulmit me armë në afërsi të shtëpisë së tij, gjyqtari Ardian Nuni u largua për dy javë në SHBA ndërsa konfirmohet se është kthyer në detyrën e tij dhe do të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve në Gjykatën e Lartë. Gjatë qëndrimit jashtë vendit, vetë gjyqtari hodhi poshtë informacionet që aludonin për një strehim të mundshëm politik të tij pas tentativës që u bë në Tiranë për ta vrarë me armë zjarri.                                    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›