E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafajësi pesë zyrtarëve të tenderit "Rrëshen-Kalimash"

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm pesë zyrtarë të akuzuar për "shkelje të barazisë në tendera" gjatë procedurave të tenderimit për një pjesë të rrugës Durrës-Kukës. Vendimi për zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mes të cilëve edhe zv.drejtori i kësaj drejtorie, u shpall dje në Gjykatën e Tiranës. Çështja penale ndaj tyre u hap pas kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat të pandehurit Mimoza Prushi, Natasha Saliaj, Niko Mihali, Petraq Duka dhe Skënder Çota, të gjithë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Zyrtarët akuzoheshin nga prokuroria për dëmin prej 55 milionë lekësh të reja, shkaktuar buxhetit të shtetit gjatë ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Durrës-Kukës, saktësisht në segmentin Rrëshen-Kalimash-Morinë. 
VENDIMI
"Deklarohen të pafajshëm", thuhet në vendimin e gjykatës për secilin nga të pestë zyrtarët e akuzuar. Në seancën e djeshme, gjykata, pasi ishte njohur me pretendimet e Prokurorisë, për fajësinë e të pandehurve dhe të mbrojtjes, për pafajësi të klientëve të tyre lexoi verdiktin përfundimtar. Sipas togave të zeza, pesë zyrtarët u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre, si dhe u pushua çështja penale në kuadër të së cilës ata akuzoheshin. Gjatë gjykimit të dosjes organi i akuzës kishte kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurve. Ndërsa si masë dënimi prokuroria kishte kërkuar gjobitjen e tyre me nga 10 milionë lekë secili. Zyrtarët e kësaj drejtorie në Ministrinë e Transporteve gjykoheshin në gjendje të lirë nga gjykata e Tiranës.
DOSJA
Çështja penale në ngarkim të pesë zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve u regjistrua në Gjykatën e Tiranës në 6 nëntor të vitit 2008. Sipas një kallëzimi të bërë në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ata i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 55 milionë lekësh të reja. Në një raport të veçantë kontrolli për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, të përpiluar nga inspektorët e KLSH-së, thuhej se abuzimet e zyrtarëve ishin kryer në periudhën mes 1 janarit të vitit 2005 deri në 31 dhjetor të vitit 2006. KLSH-ja i kërkonte prokurorisë nisjen e hetimit për 5 zyrtarët për "shpërdorim detyre" me pasojë dëm ekonomik prej 55 milionë lekësh të rinj shkaktuar shtetit. Sipas hetimeve të Prokurorisë së kryeqytetit bëhej fjalë për një dëm ekonomik të shkaktuar prej veprimtarisë së tyre kundër ligjit, duke favorizuar një prej firmave të ndërtimit në segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë të kësaj rruge. Për organin e akuzës shkelja ligjore ishte bërë në fushën e tatim-taksave, pasi të pandehurit nuk kishin mbajtur tatimin mbi të ardhurat për projektuesin e segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë. Sipas organit të hetimit, të pandehurit duhet të kishin mbajtur vlerën e tatimit mbi fitimin nga firma e kontraktuar, vlerë që shkonte në shifrën 55 milionë lekë të rinj. Pas fillimit të hetimeve, ndryshoi kualifikimi i veprës penale dhe në përfundim të tyre zyrtarët u dërguan në gjykatë për veprën penale të "shkeljes së barazisë në tendera".

Të pandehurit

1.  Mimoza Prushi
Prokuroria kërkoi 10 milionë gjobë
2.  Natasha Saliaj
Prokuroria kërkoi 10 milionë gjobë
3.  Niko Mihali
Prokuroria kërkoi 10 milionë gjobë
4.  Petraq Duka
Prokuroria kërkoi 10 milionë gjobë
5.  Skënder Çota  
Prokuroria kërkoi 10 milionë gjobë

Apeli, pafajësi për zyrtarët e Transporteve

TIRANE - Vetëm pak ditë më parë Apeli i kryeqytetit deklaroi pafajësi për zv.ministrin e Ministrisë së Transporteve, Nikolin Jaka dhe Bashkim Kamberin, ish-shef i sektorit juridik dhe Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Në shkallën e parë ata u dënuan për akuzat e abuzime dhe afera korruptive në lidhje me disa tendeda në vitin 2007 në Ministrinë e Transporteve. Ndërsa për 5 të pandehurit e tjerë të kësaj çështje, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Dosja e këtyre zyrtarëve ishte e ndarë nga ajo e pesë personave që ditën e djeshme morën pafajësi në Gjykatën e Tiranës. Hetimi për dy rastet është zhvilluar i ndarë pasi dy episodet pasi ato janë konsumuar në periudha kohore të ndryshme dhe për pjesë të ndryshme të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›