Prodhimi vendas dhe kriza ulin importin e drithrave
DURRES - Bie sasia e grurit të importuar nga pellgu i detit të Zi. Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit, saktësojnë për "Panorama" se në nivel 6-mujori, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga porti i Durrësit ka hyrë 61 mijë ton grurë më pak. Burimet flasin se ka hyrë në lojë prodhimi vendas, i cili ka ulur ndjeshëm kërkesën për import, jo vetëm për grurin dhe miellin e huaj, por edhe për drithërat e tjerë ku më kryesori është misri. Tregtarët shqiptarë të grurit, e blejnë këtë mall kryesisht në Ukrainë, vend i cili falë superprodhimit ka çmime konkurruese. Por një pjesë e mirë e drithërave, vjen edhe në rrugë hekurudhore nga linja e Hanit të Hotit me malin e zi. Këtë sezon nisur nga çmimi i favorshëm i bursës ndërkombëtare, fermeri shqiptar ka nisur të mbjellë sipërfaqe të mëdha me grurë. Ky fakt ka ulur në nivele historike importin e grurit nga Ukraina, i cili kryhet përmes portit të Durrësit. Numri dy i Autoritetit Portual të Durrësit, jep një panoramë të qartë edhe për trendin e eksport-importeve që kryhen këtu. Sipas Mentor Bungurit, trendi aktual është ulja e importeve në përgjithësi. "Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi 120 mijë tona mallra të importuara më pak" - thotë Bunguri. Duket se këtu ndikojnë dy faktorë, kriza ekonomike dhe rritja e prodhimit vendas. "Kemi ulje të importit të çimentos, hekurit dhe grurit, por për të gjitha këto mallra ka hyrë në lojë të fortë biznesi vendas", u shpreh ai. Porti i Durrësit është një ndër kontribuesit kryesor në buxhetin e shtetit shqiptar. Për çdo metër linear kalatë, të zënë nga një anije mallrash, aty paguhet një çmim prej 3.7 eurosh në ditë. Dita-ditës ai po fiton statusin rajonal të portës hyrëse në korridorin e 8-të. o.u