E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhje apo vjedhje

Sazan GURI 

Shqipëria, si askënd vend tjetër në Europë me këto zgjedhje ngeli në b, b, blë, paçka se ishte pa shumë kurbane si vite më pare. Populli shqiptar, si askush popull tjetër në Europë ngeci si kurdoherë në zgjedhjen e vetëm dy ngjyrave, si në atë të kuqe dhe në atë blu, që mund të ketë nga halli edhe ca vija rozë, që gjithsesi e quajnë fitore, se ndër shekuj ka votuar për një ngjyrë si për sulltan, mbret e diktator. Çfarë ndodhi me zgjedhjet sot?  Ajo që pritej, ajo që s‘mund të ishte ndryshe.  Mbasi vip-at politik, rrufeshëm ndërhyn në Kushtetutë, duke e dhunuar atë, mbasi ligjëruan akte, ku Kryeministri i radhës mbledh vota dhe shkarkon Presidentin, mbasi ndërtojnë Komisione Qendror Zgjedhor në proporcion me maxhorancën, mbasi ngrenë komisione zgjedhor me militant, me më të fortët, mbasi importuan dhe imponuan një Kod Zgjedhor amalgamë të kodeve spanjoll, britanik deri tek eskimezët gjurmuan nene se si dy parti të mëdha mund të shkatërrojnë në tavolina dhe jo në mejdan, partitë e vogla, por mbi të gjitha më të madhen e tyre, aq sa i madhi i krahut të majtë porosiste hartuesin e këtij kodi, që më bëj një ligj zgjedhor, që të më shkatërrosh këtë të fundit. Çfarë doni i thoshte sulltani shqiptarëve pas lufte. Njëri donte një copë tokë pranë fshatit të tij për të kaluar pleqërinë dhe tjetri i gjegjesh, që unë dua që mos t‘ia jep atij atë copëz. Kjo filozofi mbërrin në kohët e sotme, ku Shqipëria siç po rezulton nga bëmat e historisë po vazhdon të tkurret edhe më, por jo si më parë nga të tjerët, por nga vetvetja. Vëreni ngjyrat partiake në hartën e Shqipërisë.
Nuk mjaftoi ky kod konglomerat nenesh, se si mund të shkatërrosh të vegjlit, por u desh dhe media që të polarizonte edhe më këtë popull në dy grupe të mëdha, ku njëri, informal, suburban, i mbështetur nga politikat e ashtuquajtura legalizime të së djathtës urrente aq shumë liderin e krahut të majtë, që i kishte quajtur shpellor, sa që nuk shikonte më ngjyra, veç asaj blu. Mor por, edhe ato qetësuese, si jeshilja apo të ngrohta si roza nuk mund ta tërhiqnin më këtë grup apo këtë turmë. Dhe grupi tjetër, me urrejtje deri në palcë për liderin e së djathtës, nuk dëgjonte dhe nuk shikonte gabimet e liderit të tyre. O po të bëj çfarë të dojë, vetëm Berisha të ikë, kjo ishte motoja e tyre. Pra, patëm dy turma të rrezikshme, të çmendura pothuaj, që për nga përmasat dhe cilësia e sindromës ia kalonin dhe asaj të viteve ‘90. Dy turma, që prodhuan urrejtje dhe dashuri të tejskajshme, që respektivisht nuk shikonin traun mbi kokën e tyre, por qimen në kokën e tjetrit. Ky Kod Zgjedhor dhe ky lobim mediatik, ku në tre televizionet e ndjekshme ftoheshin vetëm kandidate të dy forcave të mëdha, për të dhënë mesazhin, që me ju të vegjlit nuk kemi më punë. Mirëpo, luani shkoi në luftë edhe me elefantin, edhe me lepurin edhe me miun, edhe me të gjithë kafshët e tjera, sepse njëri duhej për lajmëtar, njëri për të rrëmihur gardhin nëse kapeshin në kurth. Kishte parti ndër këto vogla të bezdisura, sa të duash. Kishte parti, ndër këto vogla të dobishme, sa të duash prapë. A kishte ardhur koha, që këto të zhdukeshin kaq dhunshëm, madje dy herë dhunshëm, njëherë me ligj ku nëse fitoje si PR në Berat e merrte këtë pjesë luani dhe njëherë me vjedhje, ku e merrnin prapë luanët.
Për aq kohë sa partitë nuk lejojnë fraksione dhe demokraci të brendshme, për aq kohë sa nuk kemi institucione të pasura demokratike, për aq kohë sa partia maxhoritare bën maxhorancë në pushtetet gjyqësore e institucionale deri në akademitë shkencore e universitete, për aq kohë sa shoqatat civile kthehen në politike, për aq kohë sa shoqatat mjedisore presin radhën në dyert e ministrive për një kothere bukë projekti, një pjesë e partive të vogla do të bënin vetë institucionin e duhur për momentin, sigurisht pas një pragu fillimisht prej 2% dhe me zgjedhje demokratike dhe jo me vjedhje bolshevike. Kësisoj mund të thuhet se qeveria dhe forcat politike kaluan provimin me kopje në shkollat dhe në stilin si ngahera shqiptar, por jo atë evropian. A ka më turp që të të vidhet vota e simpatizantëve të forcës politike që t’i përfaqëson, që u dergjën qysh prej tre muajsh të lobonin një lëvizje të gjelbër e të shëndetshme, madje edhe për hajdutët, sepse e mira është prone e të gjithëve. Por, më turp akoma është kur dëgjon se t’u vodh vota e vëllait, e gruas së tij, e nipit, pastaj e djalit tënd që vetëm thjesht se punuan për këtë lëvizje nuk mund të votonin kundra djersës së tyre apo ndryshe. Dhe hajduti s‘ka të ndalur. Ai nuk ndal vrapin e të vjedh edhe votën tënde. Kutia në zonën zgjedhore 1845/2, të jep rezultat zero vota, megjithëse e dhënë me shumë kujdes në fletën e pastër. E tmerrshme! Edhe atë ditë, që ty të duket vetja aset njerëzor, mbret i vetvetes, aq sa edhe të sëmurët me depresion apo mungesë personaliteti mund të kurohen, ai, hajni, katili, katundari, militanti zgjedhor, të të heq këtë burim shpirtëror. Këta e ndanë votën si paret natën. E majta e vogël në të majtën e madhe dhe e djathta e vogël në të djathtën e madhe dhe mbasi nuk kishin ç’të hanin më, filluan si oktapodi të hanin vetveten derisa ngecën për turpin e vet në kutitë e fundit të Fierit, të Fushë Kuqes etj. Shkoni e shikoni jo fort të dashur qytetarë të papërgjegjshëm, nëse rezultati përputhet me votat, që gjoja tregoheshin në skaner për vëzhguesit. Si është e mundur, që vota e shpallur të mos mblidhesh me program elektronikisht dhe komisioni të firmoste të dhënën finale dhe jo të numërojë si qëmoti, ku me bishta stilolapsash nxjerrin fleta votimi të pavlefshme. Si është e mundur, që 50 milionë francezë apo iranianë numërohen për dy orë dhe dy milionë shqiptarë nuk numërohen dot as për 50 orë. Prandaj, këto nuk janë zgjedhje, por vjedhje, veçse sa vijnë e bëhen më të rafinuara, duke na vënë ca ekrane para, si pasqyrat e Kolombit për indianët e Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›